I pari i ekzekutivit ka theksuar se janë të përkushtuar në krijimin e një mjedisi të te berit biznes që do e bërë Republikën e Kosovës një destinacion më konkurrues në Evropën Juglindore.
Në konferencën vjetore “Strategjia për Zhvillim Industrial dhe Instrumentet Mbështetëse për Bizneset”, e organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Kurti tha se është rritur edhe numri i vendeve të reja të punës.
“Vizioni ynë i politikës industriale është ai i një industrie më të integruar globalisht e cila është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të shtuar dhe të ofrojë punësim të denjë. Me politikat tona zhvillimore po e rrisim ekonominë e vendit dhe po e mbështesim si asnjë herë më parë qytetarët, bizneset dhe ndërmarrësit e sektorëve industrial e prodhues. Gjatë këtij viti përkrahja për industrinë prodhuese me eksporte është rritur, Qeveria e Kosovës ka mbështetur Fondin Kosovar për Garanci Kreditore me 22.6 milionë euro, ku janë garantuar 705 kredi të 638 bizneseve në vlerën 45.9 milion euro. Nga këto biznese, 12 për qind prej tyre kanë pronare gra. Ndërsa sa i përket shpërndarjeve të kredive 58 për qind janë në sektorët industrial prodhues me potencial eksporti të cilat kanë shtuar edhe 1322 vende pune të reja dhe kanë kontribuar me një rritje të qarkullimit vjetor prej 43 milionë euro”, tha Kurti.
Kurti shtoi se si qeveri përmes subvencionimit për bizneset kanë rritur edhe numrin e punësimit në sektorin privat.
“Nivelin e punësimit në sektorin privat e rritëm përmes subvencionimit për bizneset… Me ndihmën e mërgatës sonë kemi bërë edhe lidhjen e tregut të punës me arsimin profesional duke e zgjeruar programin e arsimit dual në 12 profile nga 4 sa ishte në vitin e kaluar. Lidhja midis tregut të punës dhe arsimit profesional është jetik për ekonominë dhe shoqërinë e vendit tonë, andaj edhe këtë po e bëjmë realitet. Rritjen ekonomike dhe të hyrave tatimore e kemi rishpërndarë tek qytetarët, pra nuk e kemi mbajtur për shtetin, veçanërisht në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike ku qytetarët dhe bizneset përfituan nga subvencionimi… Si qeveri jemi të përkushtuar për krijimin e një mjedisi të bërit biznes që do e bëjë Republikën tonë të Kosovës një destinacion më konkurrues në Evropën Juglindore”, shtoi Kurti.
Ndërkaq, ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se përkundër sfidave, ka pasur progres në të bërit biznes.
“Ky vit përtej sfidave të shumta është përcjellë me rezultate të prekshme të cilat kanë pasur ndikim të drejtpërdrejt në ambientin e të bërit biznes, zhvillimin e politikave industriale tregtare, zhvillimin e ndërmarrësisë dhe inovacionit, mbikëqyrjen e tregut, mbështetjen e prodhueseve vendor, promovimin dhe përkrahjen e investimeve eksporteve. Kjo madje u dëshmua edhe përmes raportit të progresit, të publikuar së fundmi nga Komisioni Evropian për periudhën qershor 2022, qershor 2023, i cili thekson se Republika e Kosovës ka shënuar progres të dukshëm në këtë drejtim në veçanti duke plotësuar kornizën legjislative në përputhje me direktivat e BE-së”, tha Hajdari.