Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se me marrëveshjet mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, jetesa e qytetarëve në të dy anët e kufirit është lehtësuar e vendet janë zhvilluar. Ai në fjalimin hyrës në mbledhjen e përbashkët Kosovë – Shqipëri në Prishtinë, u shpreh i kënaqur me zbatimin e marrëveshjeve, duke shtuar se ato që do të nënshkruhen sot, do të ndikojnë edhe më tej në thellim të bashkëpunimit.
“Jam i kënaqur të njoftoj se po zbatohen të gjitha marrëveshjet, me to është lehtësuar jeta e qytetarëve në fusha të ndryshme”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se është i kënaqur me jetësimin e 13 marrëveshjes të arritura nga mbledhja e kaluara, përveç njërës.
“Ky bashkëpunim nuk ka qenë asnjëherë më i gjerë me intensiv në burimet njerëzore dhe natyrore. Megjithëse një kohë ka pasur kufij ndarës të imponuar politikisht natyra nuk ka ditur për ta kur i ka shpërndarë burimet e saj zhvillimore në rajon”, tha Kurti.
Kurti shtoi se marrëdhëniet tona janë dëshmi se kur nuk ekzistojnë problemet e pazgjidhura politike suksesi i marrëdhënieve në të gjitha fushat është i garantuar.
“Lënia për fund dhe mbajtja pezull e zgjidhjes së problemeve esenciale politike, mban pezull mosbesimin e ndërsjellë social. Anëtarësimi në BE mbetet synim i ynë i përbashkët”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se marrëveshjet që do të nënshkruhen sot do të jenë për lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dyja shteteve.