Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se viti 2021 do të kujtohet si vit në të cilin shpresa dhe vullneti për ndryshim u bënë të pathyeshëm. Në hapjen e mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka thënë se mbështetja që i është dhënë Lëvizjes Vetëvendosje për të qeverisur me vendin është dëshmi se zhgënjimi i qytetarëve ka qenë i madh me qeveritë e kaluara.
Sipas Kurtit, qytetarët e kanë dëshmuar zemërimin që e kanë me politikanët që sipas tij kanë qeverisur keq për kohë të gjatë.
“Vitin 2021 do ta kujtojmë si vit në të cilin shpresa, besimi dhe vullneti për ndryshim u bënë bashkë dhe të pathyeshëm. Mobilizimi i jashtëzakonshëm i qytetarëve të Republikës për të na dhënë mbështetjen historike është dëshmi se sa i madh ka qenë zhgënjimi dhe zemërimi ndaj atyre që qeverisën kaq keq për shumë gjatë, sa e madhe është nevoja dhe dëshira për ndryshim dhe sa e lartë është përgjegjësia jonë sot dhe nesër këtu. Le të jetë ky motivimi dhe udhërrëfyesi ynë për gjatë gjithë vitit 2022, le të mbetemi të palëkundur në rrugëtimin tonë”, ka thënë kryeministri Kurti”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ai ka thënë se do t’u qëndrojnë besnik synimeve dhe nuk do të kursejnë asgjë për të përmbushur programin qeverisës.
Në hapjen e mbledhjes së qeverisë, e cila mund të jetë e fundit për këtë vit, Kurti ka përmendur vështirësitë që i ka shkaktuar pandemia në jetën e qytetarëve të Kosovës. Ai edhe njëherë ka ngushëlluar familjet të cilat i kanë humbur më të dashurit e tyre si pasojë e pandemisë.