Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Republikës së Çekisë në Kosovë, Bohumil Mazanek, me të cilin bisedoi mbi marrëdhëniet bilaterale duke theksuar gatishmërinë për rritje të bashkëpunimit në ekonomi, shkëmbimet tregtare, siguri, mbrojtje, diplomaci parlamentare e kulturë.
Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës në objektivat strategjikë të vendit siç janë anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe marrja e statusit të vendit kandidat për avancim në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Ai e falënderoi ambasadorin Mazanek për përkrahjen e vazhdueshme të Çekisë ndaj Kosovës. Duke ritheksuar përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Mazanek për bisedën dhe angazhimin e tij. Ndërsa ambasadori Mazanek shtoi se Çekia është një mbështetëse e madhe e Kosovës dhe kjo është politikë konstante e vendit.
Ndryshe, takimi i sotëm rastisi në një datë tjetër historike për Çekinë, atë të “Revolucionit të Kadifenjtë” të 17 nëntorit 1989.
Së fundmi, Kosova dhe Republika e Çekisë, ngritën nivelet përkatëse të përfaqësimit në atë më të lartë, të ambasadorëve me të drejta të plota.
Si një përkrahëse e madhe e rajonit, Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së gjatë vitit të kaluar ka qenë ndër më të suksesshmet.
Vendet e rajonit avancuan në rrugën e tyre drejt BE-së, përfshirë Kosovën e cila arriti të ketë vendimin politik dhe konsensusin e shteteve anëtare mbi liberalizimin e vizave, si dhe zyrtarisht dorëzoi dhjetorin e kaluar në Pragë aplikimin për anëtarësim në BE.