UBT News

Kurti: Masat e BE-së kundër Kosovës e kanë dëmtuar dialogun

Kosovo's Prime Minister Albin Kurti speaks during an interview with The Associated Press in capital Pristina, Kosovo, Sunday, Feb. 5, 2023. Kurti said Sunday that Serbia should face the past and show "willingness and interest for EU and NATO and not for Russian Federation." (AP Photo/Franc Zhurda)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i dakorduar në Ohër duhet të zbatohen plotësisht dhe pa vonesa.

Kurti në një intervistë për “Deutsche Wellen” para takimit të 14 shtatorit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se gjashtë muaj pas arritjes së marrëveshjes në Ohër nuk ka ende zbatim.

“Javën që shkoi janë bërë një vit prej se emisari i posaçëm i Gjermanisë Jens Plöttner dhe ai i Francës Emanuel Bonn, bashkë me emisarin evropian Lajcak prezantuan iniciativën franko-gjermane që mandej u bë propozim i BE-së, për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen de facto në qendër. Një vit nuk është pak dhe gjatë këtij viti ne kemi qenë konstruktivë dhe kreativë. Javën e ardhshme bëhen gjashtë muaj prej se zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell në Ohër të Maqedonisë së Veriut, tha se ‘Ëe have a deal’, pra kemi marrëveshje, sepse u pranua edhe aneksi i zbatimit. Andaj edhe gjashtë muaj nuk janë pak, dhe ja ku jemi sot, në prag të takimit të 14 shtatorit dhe nuk kemi zbatim të marrëveshjes”, tha Kurti.

Ai thotë se shpreson që më 14 shtator në Bruksel të bëhet kthimi në “binarët e zbatimit të Marrëveshjes bazë”.

“Shpresoj që do të kthehemi në binarët e zbatimit të marrëveshjes bazike dhe kjo nënkupton një plan të sekuencuar të zbatimit të marrëveshjes. Gjashtë fjalitë e para të preambulës, 11 nenet dhe 12 pikat e aneksit të zbatimit nga Brukseli e nga Ohri do të duhej që të zbatoheshin sa më parë në plotni. Dhe çdo herë kur ka shkelje të marrëveshjes, referët Borrell; dhe Lajçak, do të duhej të vërshëllenin për shkeljen që u bë, e jo sikurse me datë 24 prill kur Serbia në Këshillin e Evropës votoi kundër anëtarësimit të Kosovës dhe ndonëse kjo ishte shkelje e nenit 4 të marrëveshjes që kemi bërë, nga Brukseli nuk u dëgjua kurrfarë zëri as pëshpërimë, e jo më vërshëllime”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se Perëndimi nuk është homogjen ndaj Qeverisë së Kosovës. Kurti ka thënë se për situatën në veri ka premtuar se do të angazhohet në deeskalim dhe se deeskalimi praktikisht ka ndodhur.

“Sa i përket situatës në veri të Kosovës, ne kemi thënë që angazhohemi për deeskalim dhe më duhet të konstatoj që deeskalimi praktikisht ka ndodhur. Në duhet të mos kemi rieskalim, veçse rieskalimi potencial i ka rrënjët veçse në Beograd dhe kurrsesi në Prishtinë. Besoj që i është bërë e padrejtë Kosovës. Ne e kemi pranuar marrëveshje me 11 nene dhe gjashtë pika të preambulës, marrëveshja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga viti 2013 konsiderohet në mesin e 39 marrëveshjeve, në nenin 10 të marrëveshjes bazike që ne e kemi bërë. Pra, neni 10 thotë se marrëveshjet e kaluara 39 sosh që janë të vlefshme dhe të obligueshme duhet të zbatohen, por aty janë 39 dhe jo vetëm dy”.

Ai sa i përket pyetjes nëse do të ketë ndonjë kompromis në Bruksel për çështjet e hapura, ka thënë se “artin e kompromisit në Kosovë e ka bërë Marti Ahtisari”.

“Artin e kompromisit te ne e ka bërë Marti Ahtisaari që praktikisht me propozimin e tij është vënë themeli i Kushtetutës së Kosovës. Në anën tjetër e kemi Serbinë e cila e ka Kushtetutën e Koshtunicës nga periudha kur ai ishte president. Të kërkosh nga Kosova që ta kompensojë Serbinë për humbjen e territorit në kohën e regjimit gjenocidal dhe fashist të Sllobodan Millosheviqit, është padrejtësi e madhe. Unë jam kryeministër i të gjithë në Kosovë, sikurse i shqiptarëve, serbëve, romëve, ashkalinjve egjiptasve, turqve, boshnjakëve dhe goranëve. 93 % janë shqiptarë ndërsa, serb janë 4%. Unë jam kryeministër i të gjithëve i dëgjoj të drejtat që i kërkojnë, nevojat që i kanë, mirëpo nuk mund të pranojë kërkesa të etnonacionalizmit territorial. Unë ju kam thënë edhe presidentit Vuciq, edhe ndërmjetësve evropian që unë pranojë kërkesa për të drejtat e qytetarëve e jo për struktura të reja të cilat dëshirojnë të kenë fuqi ekzekutive dhe një president si lloji i Dodikut në Kosovë”, tha Kurti.

Kurti ka shtuar po ashtu se Marrëveshja bazë e dakorduar në Bruksel ka “njohjen de facto në qendër”.

“Marrëveshja bazike e cila e ka njohjen de facto midis Kosovës dhe Serbisë ne qendër është një marrëveshje e cila duhet të zbatohet menjëherë. pra pa vonesa, plotësisht dhe pa kushte, nuk e ka në qendër Asociacionin, e ka njohjen de facto ne qendër, kështu edhe është prezantuar me 9 shtator të vitit të kaluar në këtë zyrën time dhe kështu duhet edhe ta zbatojmë. Unë nuk e mohoj që paraardhësit e mi kanë bërë marrëveshje, por ato marrëveshja ose nuk janë zbatuar nga Beogradi, ose nuk e kanë kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Unë kam ofruar në Ohër ta shkruaj draftstatutin për nenin shtatë që është vetmenaxhimi i komunitetit serb në lidhje me nenin dhjetë dhe marrëveshjet e mëhershme me tri shtylla: Kushtetutshmëria dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, letra e zonjës Federika Mogherini, e cila thotë se nuk mund të ketë nivel të tretë të pushtetit me fuqi ekzekutive, dhe qëndrimi i Derek Schollet dhe Gabriel Escobar nga State Departamenti amerikan për koordinim të këtyre komunave, mirëpo, presidenti i Serbisë e ka refuzuar një gjë të tillë”.

Sa i përket për masat kundër Kosovës që ka marrë Bashkimi Evropian, Kurti ka thënë se me masat është dëmtuar edhe dialogu.

“Këto janë sanksione të cilat po na dëmtojnë neve, po na dëmtojnë sa i përket marrëveshjes se Stabilizim Asocimit, po na dëmtojnë sa i përket kredive dhe granteve dhe po na dëmtojnë sa i përket takimeve të nivelit të lartë. Merreni me mend, ministrit tim Nenad Rashiq i është anuluar takimi në Bruksel. Ai është serb nga Kosova, ministër në Qeverinë time për fushveprimtarinë e komuniteteve dhe kthimit. Por, ata nuk i kanë quajtur sanksione, por i kanë quajtur masa në mënyrë që mos të jenë të detyruar t’i votojnë në Bashkimin Evropian. Po t’i hidhnin në votim, jam i bindur që shumica dërmuese e shteteve nuk do të ishin për, por e kanë përdorur një metodë të konsensusit të heshtur me një email që është dërguar nga Brukseli dhe na i kanë vendosur masat. Tavolina në Bruksel në këtë mënyrë është dëmtuar dhe dialogu është dëmtuar me këto masa dhe unë besojë që sa më parë që të hiqen ato është mirë edhe për Bashkimin Evropian që prezanton vlera edhe për Kosovën që ka nevojë për zhvillim”.

I pyetur se çfarë ofron për heqjen e masave, Kurti ka thënë se ka marrë tre hapa konkretë.

“Së pari e kam zvogëluar praninë e policisë në ndërtesat komunale në veri për 25%, pastaj kam zvogëluar edhe për 25% të tjera, pra gradualisht dhe proporcionalisht me largimin e ekstremistëve të dhunshëm ose me arrestimin e tyre, dhe gjithashtu kam bërë edhe hapin e rëndësishëm të Udhëzimit Administrativ i cili krijon mundësi për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, ashtu që atje të kemi kryetar të rinj brenda pak muajve duke e zbatuar kështu nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale që thotë se së pari qytetarët me 25% të trupit elektoral mund të bëjnë një peticion i cili çon në votim që më pastaj e përfundon mandatin e këtyre 4 kryetarëve të komunave. Unë e di që legjitimiteti i tyre është i vakët sepse ka pasur dalje të ulët në zgjedhje, mirëpo, të tjerët nuk kanë legjitimitet fare”, tha Kurti.

Ndërsa në pyetjen nëse do të ishte më mirë që të jepnin dorëheqje kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës, Kurti ka thënë “pse duhet paguar dikush për gabimet e bëra nga Lista Serbe”.

“Katër muaj i kemi shtyrë zgjedhjet në veri, pesë ditë e kemi shtyrë afatin për regjistrimin e partive politike që të marr pjesë Lista Serbe në zgjedhje. I braktisën institucionet, i bojkotuan zgjedhjet me qëllim të keq, bën gabim, nuk do të duhej ne të paguajmë. Ata që gabojnë paguajnë, jo ata të cilët e kanë sundimin e ligjit, demokracinë vlerë fundamentale. Kosova sa i përket luftimit të korrupsionit, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe lirive civile, organizimit të zgjedhjeve, mbledhjes së taksave sipas FMN-së, dhe sa i përket lirisë së medieve është kampione në Ballkan. Pse, do të duhej ne të ndëshkoheshim për dashakeqësinë e Listës Srpska e cila mbase edhe është penduar”, tha Kurti.

Kurti ka shtuar se në Kosovë ka trajtim për pakicën serbe siç nuk ka trajtim askund në Evropë. Ai ka bërë krahasim se si trajtohet pakica shqiptare në Serbi.

“Shihni çfarë ndodh me pakicën shqiptare në Serbi. Në Spitalin e Vranjes që mbulon edhe Preshevën, e Bujanovcin nga 70 punonjës asnjë nuk është shqiptar, as nuk ka Universitet në Bujanovc dhe ua pasivizojnë adresat që është një lloj spastrimi etnik burokratik edhe i heshtur. Por ne nuk matemi me Serbinë, por ne matemi me standardet evropiane prandaj edhe duam të hyjmë në Këshillin e Evropës. Serbët e Kosovës do të kishin interes që të bëheshin anëtare të Këshillit të Evropës në mënyrë që ta shfrytëzojnë Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut, por, ja që Serbia votoi kundër. Pra, interesi i serbëve në Kosovë dhe interesi i Serbisë nuk përputhen”, tha Kurti.

Ai ka akuzuar se dhunën në veri të Kosovës nuk janë duke e bërë qytetarët, por strukturat e caktuara që imitojnë grupin mercenar rus Wagner.

“Dy organizata i kemi deklaruar terroriste, të ashtuquajturën Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut që kërcënojnë ministrat e mi dhe mua çdo javë, pra problemin e kemi me struktura të caktuara e jo me qytetarët. Serbët sot kanë nevojë që të mbrohen nga Serbia. Vetëm sivjet rreth 15 vetura të serbëve janë djegur për shkak se i kanë shndërruar targat në ato të Republikës së Kosovës. Nga kush t’i mbrojmë ata, ata duhet të mbrohen nga Beogradi. Kosova është shtet demokratik, ndërsa Serbia është shtet autokratik, Kosova është me BE-ne dhe NATO-on ndërsa Serbia është me Rusinë”.

Exit mobile version