Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varrezat e 16 anëtarëve të vrarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë, në masakrën e kryer nga njësiti serb “Shkorpionët”.
Kurti mes tjerash theksoi se ata na kujtojnë se sa i lartë ishte çmimi i shtetit dhe i lirisë që e gëzojmë sot. Shefi i ekzekutivit kërkoi nga Prokuroria e shtetit që të punojë më shumë që kryerësit dhe urdhërdhënësit e kësaj masakre të përballen me drejtësinë.
“Familjet Bogujveci, Duriqi dhe Llugaliu ishin bashkë por njësoj të bashkuar jemi edhe ne sot në kujtim dhe në nderim të rënies së tyre për tokën e Kosovës dhe lirin e popullit. Ata, ne kujtojnë dhe përkujtojmë se sa i lartë ishte çmimi i shtetit dhe lirisë që e gëzojmë sot, se si rrënjët e shtetit dhe lirisë janë te gjaku i martireve dhe dëshmorëve. Por njëkohësisht zëri ynë do të jetë gjithnjë më i fuqishëm si institucional dhe qytetar për kërkim të drejtësie”, tha Kurti.
Kurti tha se masakra e familjes Bogujevci është dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë derisa shtoi se njësiti që ka marrë pjesë në këtë masakër, ka marrë pjesë edhe në masakrën e Srebrenicës më 1995.
“Janë vrarë shtatë gra e shtatë fëmijë. Fëmijët kanë qenë prej dy vjeç deri 15 vjeç. Me këtë rast është mbajtur një proces gjyqësor në Serbi ku janë dënuar disa pjesëtarë të njësitit famëkeq ‘Shkorpion’ që kanë kryer vrasje edhe në masakrën e Srebrenicës në gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë. Ata të dënuar maksimalisht me 20 vjet pa u penduar kur i kanë mbajtur 2/3 e dënimit janë liruar. Kryesori i tyre është arrestuar në dhjetorin e vitit 2022, në Athinë të Greqisë si kreu i një karteli të drogës atje. Kjo tregon se si kriminelët e luftës dhe krimi i organizuar në paqe janë të ndërlidhura ngushtë. Ne kemi nevojë për drejtësi institucionale në Kosovë por edhe në rajon. Meqenëse numri më i madh i kriminelëve vazhdojnë të jenë eksponentë të krimit të organizuar ata siç dihet nuk ndodhen më në Kosovës. Ne edhe një herë i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të bëjë më shumë në mënyrë që këta vrasës mizor të familjeve Bogujevci, Duqiri e Llugali të ndodhen prapa grilave sepse kanë pasur shumë më tepër ekzekutorë dhe urdhërdhënës të kësaj ekspedite kriminale gjenocidale se sa janë përballur në procese në drejtësi. Në Serbi nuk ka pasur drejtësi për këto familje. Në mesin e atyre që u masakruan këtu ishte edhe Saranda Bugojevci e cila ju mbijetoi 16 plumbave. Pra para 25 vjetëve trupi i njomë i Saranda Bugojevict atëherë e mitur përfundoi me 16 plumba dhe ata 5 që shpëtuan nga kjo masakër ishte një mrekulli dhe sot janë dëshmitarë të gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, u shpreh Kurti.