“Masakra ndaj familjes Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, tha kryeministri Albin Kurti, sot, në përvjetorin e 24-të të masakrës në Podujevë.
Kryeministri Kurti, bashkë me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevcin, kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hotin, kryetari e Podujevës, Shpejtim Bulliqin dhe deputeti Armend Muja, bënë homazhe te varrezat e 16 anëtarëve të vrarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, në Podujevë, në masakrën e kryer nga njësiti serb “Shkorpionët”.
“Në një ditë si kjo, ne jemi plot dhembje, mall e pikëllim për më të dashurit tanë, për këto familje, që humbën e vuajtën kaq shumë, por në të njëjtën kohë jemi krenarë për qëndresën e tyre dhe për kurajon, që po ia japin gjithë popullit tone”, tha kryeministri Kurti.
Kurti, siç u bë e ditur në komunikatë, tha se kjo masakër kërkon drejtësi.
“Si institucione të shtetit, si qytetarë të Republikës, si shqiptarë, që e duam vendin tonë, kurrë nuk do ta harrojmë borxhin, që e kemi ndaj familjeve, që dhanë gjithçka, por njëkohësisht edhe obligimin për të kërkuar drejtësi, sepse ata nuk u vranë, meqenëse e kishin mbiemrin a emrin e caktuar apo se ishin prej këtij apo atij vendi, por për shkak se ishin shqiptarë, që dëshironin të jetonin në tokën e tyre, në vendin e tyre, të lirë e në paqe”, theksoi ai.
“Kryeministri Kurti i bëri thirrje Prokurorisë në Kosovë, në veçanti prokurorëve në Prokurorinë Speciale, që të punojnë ditë e natë, për shkak se detyra e tyre dhe përgjegjësia jonë e përgjithshme është ndjekja e kriminelëve dhe vënia e drejtësisë”, u bë e ditur në komunikatë.
I pranishëm ishte edhe Enver Duriqi, të cilit në këtë masakër ia kanë vrarë 4 fëmijë të moshave 3, 5, 8 edhe 10 vjeç, bashkë me gruan dhe prindërit. Në homazhe ishin edhe fëmijët e tij të lindur pas lufte, të cilët mbajnë emrat e fëmijëve të vrarë para 24 vjetëve.