UBT News

Kurti: Marrëveshja për targa hap rrugën për bisedime intensive për normalizim të raporteve me Serbinë

Kryeministri Albin Kurti, sot ka deklaruar se marrëveshja e së mërkurës për targa hap rrugën për bisedime intensive për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Në një postim në Twitter, shefi i ekzekutivit potencoi se është koha për hapa të mëdhenj.

Kurti është shprehur mirënjohës ndaj ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier për rolin, mbështetjen dhe përkushtimin e tij.

“Nuk ka kohë për ambicie të vogla, është koha për hapa të mëdhenj. Pajtueshmëria e djeshme hap rrugën për bisedime intensive për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë bazuar në Propozimin e BE-së të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe ShBA-ja. Mirënjohës ndaj ambasadorit Hovenier për rolin, mbështetjen dhe përkushtimin e tij”, shkroi Kurti në Twitter.

Të mërkurën mbrëma pala kosovare dhe ajo serbe kanë arritur marrëveshje lidhur me targat. Lajmin e ka konfirmuar përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, përmes një shkrimi në Twitter.

“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Takimi mes kryenegociatorëve ka zgjatur më shumë se gjashtë orë.

Exit mobile version