UBT News

​Kurti: Luftimi i shtetësisë sonë nga Serbia e minon paqen e stabilitetin në rajon

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi se institucionet e vendit angazhohen çdo ditë që të ndërtojnë një shoqëri e shtet të sigurt, të ngritin e forcojnë kapacitetet tona për të mbrojtur vendin dhe popullin tonë. Ai në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) tha se duke qenë partner serioz dhe të besueshëm për aleatët tanë, kontribuojmë në paqen dhe sigurinë rajonale.

Para pjesëmarrësve, zyrtarë të sigurisë publike nga pesëmbëdhjetë vende të ndryshme të botës, Kurti theksoi se përballë këtyre sfidave globale të sigurisë, është e domosdoshme ndihma, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i të gjitha shteteve që mbështeten në vlera demokratike, për ballafaqim me terrorizmin dhe krimet të cilat cenojnë sigurinë e shteteve e popujve kudo në botë.

Ai ka theksuar se Serbia në vazhdimësi kërcënon ushtarakisht Republikën e Kosovës, deri në faktin që renditë artilerinë e saj ushtarake rreth kufirit tonë.

“Për më tepër, ajo ka ndërtuar 48 baza të përparme apo ofensive, 28 ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë, rreth kufirit tonë. Këtë e ka bërë përgjatë vijës sonë kufitare e cila është 381 kilometra e gjatë, dhe paraqet kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e vendit tonë. Veprimet e rrezikshme të Serbisë, aspiratat e saj territoriale ndaj Republikës së Kosovës, dhe luftimi i shtetësisë sonë me të gjitha mekanizmat e mundshëm, e minojnë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe jo vetëm”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se jemi gjithmonë të përkushtuar në ballafaqimin me sfidat aktuale në vend, por edhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët përmes dialogut, veçanërisht me Serbinë, si palë të barabarta, duke u bazuar në parimet e reciprocitetit e me njohje të ndërsjellë mes shteteve.

“Këto parime, për ne janë garancë e paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë”, shtoi ai.

Kurti ritheksoi se institucionet tona të sigurisë gëzojnë bashkëpunim të shkëlqyer mes vete e me partnerët tanë strategjikë, dhe kjo është garancia e menaxhimit me sukses të çdo emergjence apo sfide të sigurisë.

“Ato janë të ndërtuara dhe operojnë me dokumente strategjike që parashohin veprime konkrete dhe ndarje të përgjegjësive, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve tanë, dhe vendin tonë”, u shpreh ai.

Exit mobile version