Kryeministri Albin Kurti në ceremoninë e parakalimit të ushtarëve të FSK-së dhe policisë së Kosovës për nder të 25-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, tha se Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga UÇK-ja e e cila e kishte prijës komandantin legjendar, Adem Jashari.
Në fjalën e tij, Kurti tha se është i lumtur të shoh përparimin e madh të FSK-së, duke shtuar se kjo ka ndodhur falë dyfishimit të buxhetit dhe trefishimit të investimeve në armatim.
“Jam shumë i gëzuar që të shoh përparimin e madh të FSK-së. Kjo është arritur falë më shumë se dyfishimit të buxhetit, rekrutimit të ushtarëve të rinj, trefishimit të investimit në armatim, me dronët Bajraktar. Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga UÇK, ku prijës e kishte Adem Jasharin”, deklaroi ai.
Në ceremoninë shtetërore të shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, Kurti shtoi se 1/3 e ushtarëve do të parakalojnë në sheshet e kryeqytetit.
“Do të doja që në këtë ditë kjo paradë e ushtarëve dhe policëve të na shërbente si nxitje për të përtërirë ndjesitë tona për liri. Liria e Kosovës erdhi përmes gjakut të dëshmorëve dhe martirëve, liria u arrit mes vuajtjesh të burgosurve politikë, në krye me Adem Demaçin”, shtoi ai.
Kurti gjithashtu shtoi se liria e Kosovës erdhi edhe nga ndihma e forcave e të NATO-s, për çka theksoi se Kosova çdo ditë është më afër anëtarësimit në këtë aleancë.