Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gabimet e së kaluarës në dialogun me Serbinë nuk do të përsëriten asnjëherë. Para deputetëve, në seancën e sotme të Kuvendit, Kurti tha se nuk do të lejojë të negociojë asgjë që nuk është në përputhje me sistemin kushtetues dhe ligjor të Kosovës.
Gjatë raportimit në Kuvend për dialogun, Kurti tha se propozimi i BE-së për dialogun të vetmin nen që ka problem është ai dhjetë, ku flitet për formimin e Asociacionit në kuadër të obligimeve nga e kaluara.
Ndërkohë, tha se neni shtatë i marrëveshjes ku flitet për vetëmenaxhim të komunitetit serb në bazë të konventës së Këshillit të Evropës është e përfshirë në nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës.
“Me lejoni t’iu theksoj se premisa bazë si kryeministër është që nuk do të lejoja të negocioja asgjë që nuk është në përputhje me sistemin kushtetues dhe ligjor të Republikës. Apo diçka që synon territorializmin, monoetnicitetin apo krijimin e urave për ndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës. Pra, asnjë nga kjo, asnjëherë. Gabimet historike dhe politike të qeverive të kaluara nuk do të përsëriten asnjëherë, përkundrazi do të bëjë përpjekje maksimale që ato gabime t’i eliminoj apo së paku t’i reduktojë substacianalisht që mos të jenë pengesë për karakterin unitar të Kosovës”, tha ai.
Megjithatë, Kurti tha se bashkësia ndërkombëtare është unike në kërkesën e saj për formimin e Asociacionin, për çka shtoi se ai pranon të njëjtën vetëm në përputhje me përcaktimet kushtetuese dhe ligjore, gjithmonë duke respektuar demokracinë dhe barazinë.
“I vetmi nen ku ka një problem në këtë marrëveshje është ajo që lidhet me obligimet e trashëguara dhe për të cilën ka një konsensus ndërkombëtar që ajo duhet zbatuar. Ajo është pika dhjetë e marrëveshjes, neni 10, në fjalinë e fundit të tij, e cila përmbajnë normën që gjitha marrëveshjet e Brukselit duhet zbatuar. Megjithatë, këtë duhet të kuptoni si një detyrim ndaj tërësisë, jo si diçka të veçantë apo elementi të një marrëveshje natyrisht e kam fjalën për atë Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013 dhe të zgjeruar me marrëveshjen Mustafa-Vuqiq më 2015 për Asociacionin. Unë kam pranuar se ekziston një thasë me marrëveshje. Për t’i zbatuar rreth 40 marrëveshje, njëherë duhet të sigurohemi që ato do të zbatohen sipas rrjedhjes kohore dhe gjithashtu vetëm ato që ka autorizim kushtetues dhe ligjor për t’i zbatuar. Prandaj kur thuhet se duhet të zbatohen, lexoni fjalinë deri në fund pasi nuk thotë se vetëm duhet të zbatohen. Nëse më pyesni se a duhet zbatuar ato që i gjithë komuniteti ndërkombëtar i aleatëve pret që të zbatohen sepse janë ratifikuar dhe miratuar nga qeveritë dhe legjislaturat e mëhershme. Përgjigja ime është po, por vetëm nëse zbatohen të gjitha dhe në përputhje me përcaktimet kushtetuese dhe ligjore të republikës sonë. Duke respektuar demokracinë dhe barazinë, të drejtat e njeriut dhe simetrinë”, theksoi Kurti.
Kurti dha edhe një sqarim për nenin shtatë të marrëveshjes ku flitet për vetëmenaxhim të komunitetit serb në Kosovë.
“Nga pikëpamja ime Asociacioni i komunave me shumicë serbe si marrëveshje e trashëguar nga e kaluara është në nenin dhjetë. Në nenin shtatë flitet për komunitetin serb, i cili nëse nuk jam gabim përmendet mbi 10 herë në Kushtetutën e Kosovës. Komuniteti serb nuk janë komunat me shumicë serbe, janë kategorikisht gjëra të ndryshme. Komuniteti serb ekziston edhe në planin e Ahstisarit dhe një dyzinë herësh përmendet. Marrëveshja parasheh se të drejtat e komunitetit serb në Kosovë duhet garantuar në përputhje me konventat e Këshillit të Evropës. E vetmja konventë që rregullon aspektet e të drejtave të komuniteteve jo shumicë është konventa kornizë për mbrojtjen e pakicave e cila është pjesë e Kushtetutës së Kosovës, neni 22. S’ka konventë tjetër. Maksimumi është ajo çka Kushtetuta parasheh në nenin 22 të saj”, tha ai.
Ndërkaq tha se ata që thonë se përmes kësaj marrëveshje s’ka njohje de-facto, të tregojnë pse Vuçiq nuk e nënshkroi marrëveshjen.
“Ata që thonë se kjo marrëveshje nuk ka njohje de-facto, e kanë barrën e provës të faktojnë se pse atë e refuzojë me nënshkrim zyrtar të saj presidenti i Serbisë. Ata që thonë se kjo marrëveshje nuk është e rregulluar me rregullimin e marrëdhënieve të dy shteteve të pavarura duhet të mendojnë se pse atëherë presidenti i Serbisë e konsideron nënshkrimin e saj si shkelje të vijave të tij të kuqe”, tha ai.
Në anën tjetër, ai tha se kjo marrëveshje i hapë rrugë Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Marrëveshja bazë mes Kosovës dhe Serbisë përbënë një hap të rëndësishëm në rregullimin e marrëdhënieve të jashtme ndërkombëtare ndërmjet të dy shteteve të pavarur. Ajo bazohet në parimin e barazisë së sovranëve, respektimin e integritetit territoriale, pavarësinë, heqjen dorë nga pengesat për anëtarësim të republikës sonë në organizata ndërkombëtare, shkëmbimin e misioneve diplomatike përmes ambasadorëve të rangut të plotfuqishëm, njohjen e simboleve shtetërore dhe kështu me radhë”, deklaroi Kurti.
Duke iu kundërpërgjigjur kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili e akuzoi se përmes kësaj marrëveshje ka hequr dorë nga trashëgimia e së kaluarës dhe krimet serbe, Kurti tha se në marrëveshje theksohet sistemi i të drejtësisë tradicionale, ku qëllimi është të thuhet e vërteta nga e kaluara dhe t’i dënojë ata që kishin përgjegjësi për krimet e luftës.
“I cili përbënë metodën gjermane të adresuarit të drejtësisë tradicionale pasluftës së dytë botërore. Ky është koncepti, ai bazohet në një sistem të drejtësisë tradicionale që ka qëllim të thotë të vërtetën për të kaluarën, të luftojë revizionizmin e së vërtetës dhe t’i ndjek dhe dënojë ata që kishin përgjegjësi për të kaluarën. Jo që marrëveshja bazike nuk fal dhe amniston asgjë, por përkundrazi ka për qëllim të adresojë të kaluarën përmes mjeteve të civilizuara që ka qëllim luftën ndaj kriminelëve që kanë kryer krime lufte dhe theksimin e së vërtetës”, përfundoi ai.