UBT News

Kurti kujton sulmin e 11 Shtatorit: I gjithë burgu në Serbi ushtoi nga thirrjet e ekzaltimit të gardianëve

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar sulmin terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001 në ShBA. Ai që atë kohë ishte në burgun e Quprisë në Serbi, thotë se serbët iu gëzuan shumë sulmit terrorist.

“I gjithë burgu i Quprisë në Serbi ushtoi nga thirrjet e ekzaltimit dhe çirrjet e delirit të gardianëve. Mendova mos kishin shënuar Jugosllavia ose Cërvena Zvezda në ndonjë ndeshje sportive. Mirëpo jo. Aeroplanët e marrë peng kishin qëlluar dhe rrënuar kullat binjake në Nju Jork. Pasditja e zymtë e burgut u bë ditë e zezë e 11 shtatorit 2001. I kisha kaluar 2 vjet e 4 muaj e gjysmë nga 15 vjet burg sa më patën dënuar”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti thotë se këto sulme terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndryshuan rrjedhën e historisë dhe kuptimin e kësaj date, e cila do të jetë përgjithmonë përkujtim i jetëve të humbura, por edhe i rëndësisë së guximit dhe trimërisë përballë fatkeqësive.

“Sot përkujtojmë 20 vjetorin e sulmeve vdekjeprurëse që na tronditën të gjithëve, nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e 2977 viktimave të pafajshme dhe mbarë kombin amerikan.Kosova bashkëndjen thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleat historik dhe i pazëvendësueshëm i Kosovës”, përfundon shkrimin e tij kryeministri Kurti.

Exit mobile version