Nën patronazhin e Zyrës së Kryeministrit është mbajtur të martën mbledhja komemorative për Faik Rexhepin, protestuesin qëndrestar, i cili 35 vjet më parë ishte ulur këmbëkryq në mes të sheshit të Prishtinës, në kohën kur policët e regjimit serb i ndiqnin pas në vitin 1990.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Rexhepi është shndërruar në simbol të rezistencës kundër regjimit serb.
Ai tha se përmes qëndrimit stoik, Rexhepi nga një protestues u bë simbol i ngjarjeve të veçanta politike të Kosovës.
“Në kronologjinë e pashkëputur të ngjarjeve të përditshme janë fort të rralla rastet dhe aq të paktë njerëzit që arrijnë të ngritën nga rëndomsia dhe të bëhen simbol të ngjarjeve të veçanta politike të kohës së tyre. Një nga këto raste dhe një nga këta njerëz është ai i Faik Rexhepit, për të cilin jemi mbledhur të kujtojmë sot, një ditë pasi u varros dhe u ndahemi vetëm fizikisht prej tij… Mes mijëra njerëzve që po ndiqeshin nga policia, një burrë, Faik Rexhepi qëndroi ulur në mes të rrugës këmbëkryq, me dorën në mjekër dhe në një pozicion të qëndrimit stoik. Përveç xhirimeve të kohës Faik Rexhepi u fiksua në një fotografi ikonike dhe imazh emblematik nga fotoreporteri Hazir Reka…Në atë moment të Faik Rexhepit, i cili qëndron në shesh të Republikës duket sikurse imazhi i odës shqiptare mbin në shesh të Republikës. Qëndrimi i Faik Rexhepit është qëndrimi i dikujt në odën shqiptare. Ashtu qëndrojmë ne këmbëkryq kur shkojmë në odat në qytetet dhe odat shqiptare….Faik Rexhepi punëtor dhe patriot, nga Presheva në Prishtinë. Faik Rexhepi është njeriu ynë që nuk ikë dhe që qëndron”, tha Kurti.
E bija e Faik Rexhepit, Albana Rexhepi-Drella, tha se përmes qëndrimit stoik të babait të tij kundër regjimit serb ai u bë burim i shpresës dhe frymëzimit për të gjithë popullin shqiptar.
“Ne që e kemi njohur gjithë jetën, jemi dëshmitarë të bindjeve dhe integritetit të tij të palëkundur, si dhe bindjeve morale dhe etike. Të angazhimit të tij të pandalshëm për të rezistuar, sfiduar dhe luftuar padrejtësinë dhe shtypjen. Babi ynë nuk ka qenë vetëm rezilentë në misionin e tij, por edhe burim i shpresës, frymëzimit, udhëzimit dhe mbështetjes për të gjithë ne”, tha ajo.
Faikun e kujtoi edhe miku i tij Dibran Gashi. Faik Rexhepi në gusht të vitit 1990 bashkë me shumë qytetarë të tjerë kishin dal ta prisnin një delegacion të Kongresit amerikan, ku policia serbe atëherë kishte ndërhyrë që ta shpërndante masën. Mirëpo i vetmi që nuk kishte lëvizur nga vendi ishte Faiku, i cili u ulë këmbëkryq midis trumës. Në vendin ku protestoi Faiku tashmë është një monument me figurën e tij, në shenjë nderimi për veprën e tij.