Kryeministri Albin Kurti në adresimin e tij në fillim të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka shfaqur pakënaqësi ndaj sistemit të drejtësisë, duke deklaruar se vettingu është zgjidhja e duhur. Ai përmendi se qytetarët janë të pakënaqur me prokurorinë dhe gjyqësorin ndërsa u shpreh se për vendime meritore nga gjykatat duhet të ketë reagim nga shoqëria.
Kurti tha se janë të shumta rastet kur si pasojë e mosveprimit të sistemit të drejtësisë, persona të ndryshëm me precedentë të shumtë penalë, lëvizin lirshëm, rrezikojnë dhe marrin jetën e qytetarëve tanë, një referim për rastin e ndodhur në lokalin “Bon Vivant” natën e 4 gushtit.
Kurti tha se edhe në raporte të ndryshme kredibile vendore dhe ndërkombëtare konstatohet se drejtësia vazhdon të jetë joefikase dhe e ngadaltë dhe të përshkruhet me fenomenin e rasteve të shumta në rigjykim dhe vendimeve jo të duhura ndëshkimore.
Duke folur për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, kreu i ekzekutivit kosovar u shpreh se autorët morën dënim meritor vetëm pasi shoqëria reagoi ashpër ndaj krimit.
“Në shumë raste, kur ndodhë një krim, po duhet të ngrihet shoqëria në mënyrë që të kemi vendim meritor nga gjykata. Shembull është rasti i fundit me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm të vrasësit të së ndjerës Marigona Osmani, pra Dardan Krivaqa. U dashtë një shoqëri e një popull i tërë ta dënojë publikisht krimin, në mënyrë që gjykata të mund ta nxjerrë një verdikt meritor. Vendimet meritore të sistemit të drejtësisë kanë ndikim të dyfishtë në shoqërinë e çdo vendi. Përveçse sjellin drejtësi për viktimat dhe të dëmtuarit, ato diktojnë edhe parashikueshmërinë e pasojave të çdo veprimi jo të ligjshëm e penal, duke ndikuar kështu edhe në parandalimin e krimeve”, tha Kurti.
Kurti e quajti “vendim ekstrem” edhe atë për Naser Pajazitajn, i dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt ndërsa Supremja e liroi nga akuzat dhe e la të lirë.
Kryeministri Kurti u shpreh se niveli i besimit të qytetarëve në organet e drejtësisë vazhdon të jetë ndër më të ulëtit në krahasim me institucionet e tjera. Duke cituar raportin e UNDP dhe USAID, tha se kënaqshmëria e qytetarëve për performancen e sistemit të drejtësisë – gjykata dhe prokurorinë – është vetëm 29%.
Sipas tij, zgjidhja e vetme janë reformat dhe vettingu në sistemin e drejtësisë.
“Sipas statistikave të gjyqësorit, gjatë vitit 2022 Gjykata e Apelit kishte kthyer në rigjykim plotë 1,754 raste. Ky raport e rëndon sistemin e drejtësisë, e ngulfat atë, e vonon drejtësinë, e humb besimin e qytetarëve, dhe si efekt përfundimtar, në mungesë të ndëshkueshmërisë efikase, rrezikon të inkurajojë krimin dhe kriminalitetin. Andaj, reforma është domosdoshmëri e vettingu është zgjidhja. Tash e 5 muaj jemi në pritje që Gjykata Kushtetuese t’i hap sa më shpejtë rrugë jetësimit të kësaj reforme. E koha po kalon. Koha që kalon është kohë e humbur”, tha Kurti.
Në fund, Kurti përshëndeti edhe njëherë letrën e mbi 50 deputetëve dhe 10 kryetarëve të komisioneve parlamentare të politikave të jashtme që i bën thirrje Bruskelit, Uashingtonit dhe Londrës një qasje më të ashëpr ndaj Serbisë në raport me Kosovën.