Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si “të padrejtë dhe të dëmshëm” vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.
Ky vendim, sipas tij, është “edhe dekurajues për integrimin e serbëve të Kosovës”.
Por, shtoi Kurti, “ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë në vendimet e Brukselit”.
Kurti i bëri këto komente për gazetarët, gjatë përurimit të disa hapësirave të rinovuara në Klinikën e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian e morën vendimin e lartpërmendur më 22 korrik.
Vendimi pritet të hyjë në fuqi ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.
Serbët e Kosovës, që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë, janë aktualisht të vetmit qytetarë të Ballkanit Perëndimor që u duhen viza për të udhëtuar në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.
Komisioni Evropian propozoi heqjen e vizave për ta qysh në nëntor të vitit të kaluar.
Kosova nuk i njeh pasaportat e Drejtorisë Koordinuese të Serbisë, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme serbe në Beograd, dhe mbajtësit e tyre nuk mund të fluturojnë me to nga Aeroporti i Prishtinës.
Autoritetet në Kosovë i inkurajojnë qytetarët serbë që të pajisen me pasaporta të Kosovës.
Qytetarët me pasaporta biometrike të Kosovës gëzojnë liberalizimin e vizave nga 1 janari i këtij viti./REL