I pyetur për trazirat e fundit në veri të Kosovës pas aksionit policor kundër kontrabandës, kryeministri Albin Kurti në Samitin Ekonomik në Shkup tha se institucionet kosovare nuk do të lejojnë stabilitetin e krimit, shkruan Alsat. Kurti tha se kriminelët serbë dhe shqiptarë bashkëpunojnë në mënyrë të përsosur, dhe se grupet e tyre duhet luftuar.
“Për stabilitet të institucioneve, për sundimin e të drejtës, nuk mund të ketë stabilitet të krimit. Po luftojmë korrupsionin, po luftojmë krimin e organizuar, që për ndryshe, në këtë rast është multietnik. Kriminelët serbë dhe shqiptarë bashkëpunojnë në mënyrë të përsosur”, deklaroi Kurti.
Kurti tha se nuk duhet nacionalizuar ose politizuar lufta kundër krimit të organizuar.
“Dje në mëngjes ka pasur një operacion policor në katër komuna të ndryshme në Kosovë. Pejë, Prishtinë, Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugur, ku kriminel të ndryshëm, shqiptarë dhe serbë kanë bashkëpunuar. Gjykatësi paraprak dhe prokurori që kanë urdhëruar këtë aksion kanë qenë serbë. Shumë policë kanë qenë serbë. Disa policë të lënduar kanë qenë shqiptarë, disa serbë. Është gabim të nacionalizojmë ose politizojmë luftën kundër krimit të organizuar”, tha mes tjerash Kurti.