Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se në dialog me Serbinë prioritet do të jenë krimet serbe të kryera në Kosovë dhe fati i të pagjeturve. Këto deklarata Kurti i ka bërë pas homazheve në Krushë të Madhe në 22-vjetorin e masakrës në Krushë të Madhe.
“Drejtësia për kryerjen e krimeve serbe mungon dhe do të angazhohemi me Institutin e ardhshëm për Krime Lufte dhe me aktivizimin e sistemimit prokurorial për zbardhjen e rasteve dhe dënimin e krimeve të kryera nga Serbia”, ka thënë Kurti.
Ai tha se çështjen e të pagjeturve do ta adresojnë në të gjitha instancat ndërkombëtare.
“Do ta adresojmë këtë çështje çdo ditë në të gjitha instancat. Në raportin tonë më Serbinë ne e kemi prioritet fatin e të pagjeturve dhe krimet e kryera nga Serbia. Ne do të kërkojmë përgjegjësi”, tha Kurti, i cili ishte i shoqëruar nga kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.
22 vite më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën./UBTNews