UBT News

Kurti: Krimet kundër grave tregojnë dështimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se krimet kundër grave tregojnë dështimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Ai para kabinetit qeveritar tha se ndëshkimet e ulëta dhe dënimet e mangëta janë shkelje mbi të drejtat e viktimave.

“Krimet kundër grave tregojnë pasojat e ndëshkimeve të ulëta dhe jo rrallë herë mosndëshkueshmërisë. Tregojnë dështimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial për vendosjen e drejtësisë në shtetin tonë. Dënimet e mangëta janë shkelje mbi të drejtat e viktimave. Këto të mbuluara me mungesën e llogaridhënies dhe transparencës në detyrë nga sistemi i drejtësisë nuk falen nga qytetarët tanë. Si zë i tyre kemi përgjegjësinë të ndërmarrim masa për të vendosur llogaridhënien aty ku është e domosdoshme dhe për të kërkuar drejtësinë me çdo kusht ku ajo mungon”, tha Kurti.

Ndërkaq ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kërkoi nga sistemi i drejtësisë dënime më rigoroze ndaj dhunuesve të grave. Ai tha se rreth 200 raste raportohen çdo muaj për dhunë ndaj grave dhe dhunë në familje.

“Kosova që prej çlirimit të saj ka 99 gra të vrara nga këto 64 gra janë vra nga burrat e tyre. Bazuar në data bazën që është në Ministrinë e Drejtësisë kemi 200 raste të cilat raportohen çdo muaj për dhunë ndaj grave apo në familje. Si rrjedhojë kërkohet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve të republikës së Kosovës. Niveli qendror me politika dhe masa dhe të gjitha hallkat institucionale me zbatim strikt të ligjit. Këtu natyrisht përfshihet edhe domosdoshmëria e angazhimit të nivelit komunal. Në secilin rast të femicidit po del se personat e dyshuar janë recidivist të dhunës. Pra kur nuk ka veprime të duhura institucionale dhunuesit shndërrohen në vrasës”, theksoi Haxhiu.

Haxhiu prezantoi edhe disa nga masat që do t’i ndërmarrin për parandalimin siç tha të femicidit.

“Në raport me përgjegjësitë e Ministrisë së Drejtësisë do të bëjmë edhe një herë rishikimin e kodit penal dhe kodit të procedurës penale për të gjitha rastet e veprave penale që lidhen me dhunën në familje dhe vrasjet në bazë të gjinisë. Po ashtu edhe në bashkëpunim me ministrinë e Punëve të Brendshme jemi duke punuar në ndryshimin në raport me armbajtës pa leje. Për shkak të politikës së ulët ndëshkimore dhe mosveprimit nga sistemi prokuroroial ne duhet të rishikojmë këto dispozita në mënyrë që të pamundësojmë që prokurorët t’i neglizhojnë këto raste dhe gjykatat të marrin dënime të ulëta ndaj këtyre rasteve”, theksoi Haxhiu.

Exit mobile version