Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur pas takimeve që i ka zhvilluar në kuadër të Samitit të Berlinit. Kryeqeveritari njoftoi se i ka ripërsëritur edhe njëherë kërkesat e tij sa i përket anëtarësimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Ai tha se ka kërkuar që Republikës së Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese dhe t’i jepet statusi kandidat gjatë këtij procesi. Kurti më tutje para gazetarëve tha tani pret që komisioni evropian të fillojë me dinamikë të re sa i përket procesit të dialogut dhe se deri më tani ka pasur progres në dialog, por ai duhet jetësuar.
“Në takimet që kemi pasur kemi kërkuar që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të padrejta, t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe sa më parë të na dërgohet pyetësori, me ato mijëra pyetjet që me disiplinë e durim do ta përmbushim, për shkak se as nuk kemi e as nuk duam të kemi ndonjë alternativë ndaj Bashkimit Evropian”.
Kurti ka thënë se marrëveshjet e arritura gjatë 10-vjetorit të Samitit të Procesit të Berlinit janë afruese të rajonit dhe përshpejtuese në rrugëtimin drejt BE-së.
“10 vjetori i Samitit të Berlinit u kurorëzua me marrëveshjen për qasjen në studime dhe me planin e veprimit për tregun e përbashkët rajonal 2025-2028. Kjo është një e arritur e përbashkët, e cila padyshim që do të jetë e dobishme dhe ndërkohë që afron rajonin përbrenda, në të njëjtën kohë siguron dhe përshpejton rrugëtimin evropian”, ka thënë kryeministri.