Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Këtë deklaratë Kurti e bëri gjatë një takimi në New York me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, dhe përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kurti ka kërkuar që Kosovës t’i jepet pa vonesa të mëtejme statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE. Ai ka thënë se një vendim i tillë do të ishte përgjigje ndaj përkushtimit të Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe orientimit të saj euroatlantik.
Kryeministri ka kritikuar edhe vonesën në shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, duke thënë se kjo mund të inkurajojë, sipas tij, aktorët destabilizues në rajon.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Kurti ka akuzuar Serbinë për mbrojtjen e personave të dyshuar apo dënuar për krime lufte, si dhe për mohimin e krimeve dhe mungesën e bashkëpunimit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Ai ka përmendur gjithashtu situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e akuzuar Serbinë për shkelje të të drejtave të tyre./A.K/
