Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 24-vjetorin e themelimit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) sot deklaroi se Kosova mbase është vendi më i rëndësishëm në historinë e NATO-s.
Kurti u shpreh se ky kapitull historie duhet kujtuar veçanërisht në datën historike të 4 prillit, “sikur sot, kur shënohet përvjetori i 74-të i themelimit të NATO-s”.
Kryeministri potencoi se 24 vjet më parë, në prag të përvjetorit të 50-të të themelimit të NATO-s, më 24 mars 1999, NATO ka nisur operacionin ushtarak më të madh në historinë e kësaj aleance deri atëherë.
“Deri më 10 qershor, për 78 ditë rresht, trupat e NATO-s e bombarduan nga ajri Jugosllavinë, me qëllim që të ndalonin spastrimin etnik dhe gjenocidin e ushtruar nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit mbi shqiptarët në Kosovë. Ato ditë, për shkak të thirrjes në ndihmë NATO-s, shqiptarët e Kosovës janë mbase populli i vetëm që është vrarë edhe si hakmarrje ndaj NATO-s. “Ku është NATO?” dhe “Ku e keni NATO-n?”, janë dy fraza që ushtarët dhe policët serbë ua kanë thënë në mënyrë të përsëritur shqiptarëve në Kosovë, gjatë dëbimit dhe masakrave të kryera prej tyre mbi shqiptarët në pranverën e vitit 1999. Fushata ajrore e NATO-s e pasuar nga ndërhyrja ushtarake tokësore, erdhi si një ndërhyrje e shumëkërkuar dhe e shumëpritur që bashkë me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i sollën lirinë Kosovës”, shkroi ai në Facebook, duke shtuar se që nga atëherë, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, është partneri kryesor i institucioneve të Kosovës për siguri në vend.
Kurti potencoi se ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës po vazhdojnë të trajnohen nga NATO.
“24 vite pas luftës në Kosovë, fundi i së cilës u përshpejtua pikërisht nga NATO-ja, trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tashmë janë përfshirë në misione paqeruajtëse përkrah trupave amerikane. Teksa po kalon nëpër një fazë të transformimit në ushtri me aftësi komplete ndërvepruese luftarake dhe kapacitete të plota ushtarake, trupat e FSK-së po vazhdojnë të trajnohen sipas kritereve të NATO-s dhe të rriten e aftësohen për luftë moderne, krah ushtrive të vendeve të NATO-s, ku Kosova aspiron të anëtarësohet sa më parë”, shkroi tutje Kurti.
Bashkë me kujtimet plot mirënjohje që Kosova ruan për historinë e angazhimit të NATO-s për tu çliruar, Kurti shtoi se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ndjekë hapat e nevojshëm brenda institucioneve të saj dhe në arenën ndërkombëtare, drejt anëtarësimit në NATO.