Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se procesi i intervistimit të kandidatëve për kryeprokuror të shtetit që do të mbahet sot është tejet i rëndësishëm për qytetarët dhe shtetin e së drejtës. Ai pret që ky proces të jetë i drejtë e transparent.
I pari i qeverisë thotë se Kosova ka nevojë që të zgjidhet një kryeprokuror që ka integritet të lartë moral dhe profesional, por edhe që është i guximshëm, punëtor e energjik.
“Sot zhvillohet intervistimi i kandidatëve për kryeprokuror të shtetit. Ky proces është tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, për qytetarët dhe shtetin e së drejtës, prandaj ka vëmendjen e të gjithëve. Kosova dhe qytetarët kanë nevojë që të zgjidhet një kryeprokuror që ka integritet të lartë moral dhe profesional por edhe që është i guximshëm, punëtor e energjik”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë edhe se krimi i organizuar, korrupsioni duhen luftuar kudo e tërë kohën.
“Krimi i organizuar, korrupsioni i lartë dhe çdo lloj kriminaliteti duhen luftuar kudo e tërë kohën. Drejtësia nevojitet për dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarit por edhe për sigurinë tonë shtetërore e kombëtare. Si kryeministër i vendit pres që ky proces të jetë i drejtë, transparent dhe meritor”, ka shkruar Kurti në Facebook.