UBT News

Kurti: Kosova e Serbia me planin evropian e njohin defakto njëra-tjetrën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se me planin evropian njohja dejure e Kosovës nga Serbia nuk është, por është në formën defakto. Megjithatë, shtoi se ndërkohë parashihet të arrihet një marrëveshje përfundimtare si një parakusht për avancimin evropian të Serbisë.

Kurti në seancën plenare e cila po vazhdon, është pyetur edhe për propozimin evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

“Ky propozim parasheh normalizim të marrëdhënieve ndërkombëtare në mes Kosovës dhe Serbisë, ku njëra-tjetrën e njohin në formën defakto. Një njohje e tillë duket e qartë në tekstin e marrëveshjes por gjithashtu është premtuar një përmbajtje të tillë nga shtetet e emisarëve që e kanë propozuar marrëveshjen dhe vet Bashkimi Evropian. Marrëveshja i vendos Kosovën dhe Serbinë si dy entitete të barabarta para të drejtës ndërkombëtare, me integritet territorial të pa cenueshëm të të dyjave, marrëdhënie të mira nder fqinjësore, njohje të plotë të pasaportave dhe simboleve shtetërore në nivelin ndërkombëtar, me referencë të qartë të parimit të kartës së OKB-së për barazinë e plotë sovrane në mes shteteve, ku asnjëra nuk mund të përfaqësoj dhe as të flas për të tjetrën në nivel ndërkombëtar dhe ku Serbia nuk do të kundërshtoj anëtarëismin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Të gjitha këto janë parime fondamentale që shtetet e pavarura në sistemin e pavarur të shteteve ua njohin njëra tjetrës si karakteristika të shtetësisë së tyre”, tha ai.

“Për dallim nga proceset e kaluar negociatore që ishin pa cak të qartë, ky proces e ka drejtimin e duhur… . Kosova përfiton nga një raport më i avancuar me gjuhë të qartë ndërshtetërore pa ofruar asgjë në këmbim. Njohja dejure e Serbisë, është e qartë se nuk është në mënyrë ekspicide e thënë atyre, por vetëm në formën defakto, por është pjesë sekuenciale e planin sepse aty parashihet se një marrëveshje përfundimtare do të arrihet ndërkohë si një parakusht për avancimin evropian të Serbisë, domethënë vetoja e Kosovës ndaj së ardhmes integruese të Serbisë përmes kësaj marrëveshje e merr edhe formën e një parimi juridik, sepse Serbia nuk do të mund të anëtarësohet në BE pa një marrëveshje finale me Kosovën, gjë që nuk ishte juridikisht e obligueshme më përpara”, tha ai, duke shtuar se nëse ka gjëra defekte në këtë marrëveshje, janë si pasojë e qeverisjes së kaluar dhe jo të tij.

Kurti është pyetur edhe për tërheqjen e njohjes nga Republika e Togo-s, duke thënë se më 2 korrik të vitit 2014, kjo republikë ka deklaruar njohjen e shtetit tonë dhe po atë muaj është bërë vendosja e marrëdhënieve diplomatike, por tash nuk kanë pranuar ndonjë indikacion apo dokument për tërheqje të tillë, por këto janë shpifje të Serbisë.

Exit mobile version