UBT News

Kurti: Kontigjenti i parë i vaksinave antiCOVID ka sjellë shpresë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se kontigjenti i parë i vaksinave antiCOVID që pranoi Kosova të dielën mbrëma, ka sjellë shpresë në Kosovë. Kështu deklaroi shefi i Qeverisë në takim me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.

Ambasadorja Lobbezoo e uroi kryeministrin Kurti për përqindjen e lartë të fitores në zgjedhje dhe për marrjen e detyrës. Ajo e përgëzoi edhe për shembullin inkurajues që u ka dhënë qytetarëve me marrjen e vaksinës kundër Covid-19.

Kurti dhe Lobbezoo biseduan edhe për gjendjen e agrokulturës në Kosovë dhe që të dy u pajtuan se duhet një qasje e re ndaj prodhimit vendor dhe stimulimit të prodhuesve.

“Kryeministri Kurti tha se duhet bashkëpunim më i ngushtë i institucioneve të larta arsimore me fermerët në mënyrë që të rritet produktiviteti. Ambasadorja Lobbezoo e njoftoi për projektet që Qeveria e Holandës është duke i implementuar në Kosovë në fushën e blegtorisë dhe prodhimit të qumështit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën vullnetin dhe gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës./UBTNews

Exit mobile version