Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim përfaqësuesin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, të shoqëruar nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Përgatitjet për samitin e këtij viti në Procesin e Berlinit që shënon 10-vjetorin e tij, bashkëpunimi rajonal dhe çështjet rajonale e evropiane ishin tema të bisedës.
Kryeministri e falënderoi Sarrazin për angazhimin dhe rolin e Gjermanisë në thellimin e bashkëpunimit rajonal mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor si palë të barabarta.
Duke folur për pritjet nga samiti i radhës, kryeministri theksoi rëndësinë që marrëveshjet e arritura në Procesin e Berlinit të zbatohen plotësisht duke përfshirë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID kartë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës.
Sipas komunikatës së Qeverisë, në takim u bisedua edhe për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë në adresimin e përbashkët të tyre.