Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia është përgjegjëse për aktin e agresionit në Banjskë të Zveçanit. Në njëvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë, kreu qeveritar pasi bëri homazhe te varri i rreshterit policor, heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, kërkoi mbështetjen dhe përkrahjen e faktorëve ndërkombëtarë që Serbia të jep përgjegjësi për financimin dhe dirigjimin e grupit paramilitarë që cenuan sovranitetin e Kosovës. Kurti nënvizoi se sakrifica e rreshterit të rënë, Afrim Bunjaku ia ka vlejtur për policinë, shtetin dhe gjeneratat e ardhshme.
“Forcat që ishin të financuara dhe dirigjuara nga Serbia me paramilitarë të cilët kishin shumë më tepër armatim sesa Afrim Bunjaku me shokë, ikën më turp dhe i lanë të vrarët dhe të plagosurit e tyre dhe sot fshihen në serbi. Ata e dinë se e kanë humbur betejën një herë e përgjithmonë me popullin dhe shtetin tonë liridashës. Duhet theksuar se Serbia është përgjegjëse, andaj Serbia duhet të jap përgjegjësi. Në këtë pikë ne kërkojmë ndihmën, mbështetjen dhe përkrahjen e faktorëve ndërkombëtarë”, theksoi Kurti.
Ai shtoi se idealet e dëshmorëve po i jetësojnë, ndërkaq kujtimin për ata i përjetësojnë, siç është rasti me emërtimin e rrugës “Afrim Bunjaku”, në Banjskë të Zveçanit.
“Kjo sakrificë dhe ky flijim i rreshterit të policisë, heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku ia ka vlejtur fort për policinë, për shtetin dhe për gjeneratat e ardhshme. Duke rënë Afrim Bunjaku nuk kanë rënë edhe shumë policë të tjerë dhe ata policë që ishin në betejë bashkë me të nuk lejuan që kufoma e Afrim Bunjakut, trupi i pajetë i heroit tonë të bie në duart e forcave armike… Idealet e dëshmorëve për neve do të jetësojmë dhe po i jetësojmë. Ndërkaq, kujtimin tonë për ta do të përjetësojmë dhe po e përjetësojmë. Sot në Banjskë të Zveçanit është vendosur tabela në të cilën shkruan rruga “Afrim Bunjaku. Kjo është rruga e të gjithë neve”, nënvizoi Kurti.
Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Afrim Bunjaku është hero i Kosovës, i cili ra dëshmor në mbrojtje të sovranitetit dhe paprekshmërisë territoriale të Kosovës.
“Afrim Bunjaku është heroi i cili ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit dhe paprekshmërisë territoriale të Republikës së Kosovës. Ai e dha shembullin më të vyer se kur atdheu rrezikohet dhe kërcënohet sesi duhet të jepet jeta dhe se si duhet të vetë mohohet individi për të mirën e përgjithshme. Për lirinë tonë i cili duhet të kultivohet nga të gjithë ne, andaj ai e la shembullin më të vyer edhe për vëllezërit dhe motrat e tij që e vazhdojnë detyrën në policinë e Kosovës sesi duhet të veprojë njeriu në momentet vendimtare kur e kërkon shteti dhe Republika. Ne do të kujtojmë gjithmonë Afrim Bunjakun, ashtu siç e kujtojmë edhe Enver Zyberin i cili ra për të njëjtin qëllim 13 vite më përpara”, theksoi Konjufca.
Bashkë me Kurtin e Konjufcën ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe shumë zyrtarë policorë të cilët bën homazhe të varri i heroit Afrim Bunjaku, mirëpo edhe vizituan familjen e zyrtarit policor të ndjerë.
Ka kaluar një vit qëkur një grup i uniformuar i serbëve kreu sulm terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit. Në një pritë ishte vrarë fillimisht polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy policë të tjerë, ndërkaq në aksionin pasues të Policisë së Kosovës nga luftimet u vranë tre sulmues, kurse grupi tjetër iku në Serbi.