Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot pesëvjetorin e dërgimit në paraburgim të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, duke theksuar se qëndrimi i tyre pas hekurave nuk ka më as arsye ligjore e as morale.
Në një postim në Facebook, Kurti tha se më 5 nëntor 2020, menjëherë pasi kishte vendosur lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, Rexhep Selimin e kishin dërguar në burgun e Hagës, ku ndodhet ende sot.
“Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”. Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim”, ka shkruar Kurti.
Madje Kurti sot në një postim në Facebook ka publikuar për herë të parë letrën dërguar kryetares e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova për lirimin e çlirimitarëve nga Haga.
Ai shtoi se si kryeministër dhe si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi i procesit, ndërsa bëri publike një letër të dërguar në shtator të vitit 2022 kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.
“E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës”, theksoi Kurti, duke shtuar se përgjigjja e marrë nga Trendafilova “nuk ndryshoi asgjë”.
Sipas tij, kërkesat për lirimin e tyre mbeten të vlefshme dhe Kosova ofron të gjitha garancitë për një vendim pozitiv.
“Së bashku me të, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi po mbahen tash e pesë vite në paraburgim. Arsyetimi për refuzimin e lirimit të tyre është i njëjtë në çdo vendim – ‘rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët’. Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka”, shkruan Kurti.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë nga nëntori i vitit 2020. Në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm./KP
