Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar bashkëpunim ndërinstitucional për luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, ndërkaq ka premtuar më shumë përkushtim në punësimin e tyre.
Gjatë lansimit të projektit “Përafrimi i ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit”, shefi i Qeverisë ka përmendur edhe ndarjen e bursave për gratë dhe vajzat në shifrën prej 2 milionë euro. Ai tha se gjatë vitit të kaluar 5 mijë gra janë punësuar përmes masave të shpërndara nga ana e Qeverisë, ndërkaq me projektin “Superpuna”, deri më tani janë punësuar edhe 1 mijë e 400 gra tjera.
“E kemi miratuar strategjinë kundër dhunës. Kemi mundësuar ndihmë juridike falas për viktimat, kemi vazhduar mbështetjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Këtë vit do të shtohet buxheti për strehimoret. Duhet të adresohen nevojat e grave, prandaj me qëllim të fuqizimit të grave kemi ndërmarrë hapa konkret për një Kosovë me barazi mes burrave dhe grave. Gjatë vitit 2022 mbi 5 mijë gra janë punësuar për mes masave. Me projektin ‘Superpuna’ janë punësuar mbi 1 mijë e 400 vajza. Për të ndihmuar arsimin e vajzave kemi ndarë bursa për gra. Nga buxheti 2 milionë euro janë ndarë për bursa për gra dhe vajza. Dhuna ndaj grave dhe vajzave kanë qenë shqetësuese gjatë viteve, dhe na nevojitet bashkëpunim maksimal më institucionet e ndryshme. Do të punojmë për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, nuk mund të kemi barazi shoqërie pa pasur barazi gjinore. Dhunën në familje dhe në baza gjinore duhet ta luftojmë të gjithë”, tha Kurti.