Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për procesin zgjedhor të 9 shkurtit.
Ai tha se procesi i numërimit të votave është në fazën finale dhe se me të drejtë qytetarët presin nga Lëvizja Vetëvendosje, siç e quajti ai fituese e qartë e zgjedhjeve që të formojmë qeverinë.
Kurti në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, tha se deri atëherë ministrat duhet të vazhdojnë punën me ritëm të lartë.
Ai kërkoi angazhim nga KQZ-ja për të përmbyllur procesin zgjedhor të 9 shkurtit.
“Jemi në fazën finale të procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit. Pres që të vazhdoni punën me po të njëjtin ritëm. Presim nga KQZ-ja angazhim për procesin e numërimit për të përmbyllur zgjedhjet”, tha ai.
Më 9 shkurt në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e rregullta parlamentare, ku morën pjesë mbi 40% e qytetarëve me të drejtë vote.
Sipas rezultateve aktuale, në këto zgjedhje parlamentare partia fituese është Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa me 40.90 %, pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22.03 %, pasuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës me 17.64 %. Koalicioni AAK-NISMA ka marr 7.46 % të votave, ndërsa Lista Serbe me 4.60%.