Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i është gëzuar ardhjes së kontigjentit me mbi 38 mijë vaksina AstraZeneca si donacion ditën e sotme.
Kurti thotë se shpreson që me procesin e vaksinimit, t’u lehtësohet me të madhe puna infermierëve dhe i falënderoi shtetet e QUINT-it dhe organizatat e tjera për ndihmën e vazhdueshme në ballafaqimin e Kosovës me pandeminë COVID-19, njofton Klan Kosova.
“Sot, në ditën ndërkombëtare të infermierëve, kanë arritur 38,400 doza të vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19. Së bashku me Ministrin Vitia, Ambasadorin Abbott, Ambasadorin Szunyog, Ambasadoren Butel, Ambasadorin Rohde, Koordinatoren për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, drejtorin e UNICEF-it, Murat Sahin, dhe drejtoreshën e USAID-it, Lisa Magno, pranuam kontingjentin e ri me vaksina në kuadër të Aleancës COVAX”.
Mes tjerash Kurt ka thënë se synohet që brenda vitit të imunizohen 60 përqind e popullatës.
“Infermierët, qysh nga muaji mars i vitit të kaluar, kanë qenë në front të përballjes me pandeminë COVID-19. Ata asnjë ditë nuk kanë pushuar e më së paku janë kujdesur për vetveten, sepse pareshtur janë përkujdesur për shëndetin tonë. Edhe tani, në fazën e vaksinimit, infermierët po luajnë një rol kyç. Përkushtimi i tyre i përditshëm na detyron neve si qeveri që të angazhohemi maksimalisht që të sigurojmë doza sa më shumë, në mënyrë që të përmbushim synimin që brenda vitit të imunizohen 60% të popullatës. Kështu, shpresojmë që do t’ua lehtësojmë punën sadopak infermierëve tanë”, është shprehur kryeministri Kurti