Kryeministri Albin Kurti tha se i ka propozuar vendeve të QUINT-it një listë me pikat për de-eskalimin e situatës në veri të vendit. Ai ka njoftuar se ka pasur nga dje bisedime me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe të Dërguarin për Dialog, Miroslav Lajçak.
Kurti në konferencë ka prezantuar planin pesëpikësh që ua ka dërguar atyre për depërshkallëzim të situatës në veri të Kosovës.
“1. Sundimi i ligjit në katër komunat veriore dhe identifikimi dhe ndjekja e atyre që kanë sulmuar policinë, KFOR-in dhe gazetarët; 2. Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës; 3. Policia e Kosovës, KFOR dhe EULEX të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë; 4. Qeveria e Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore, që do të mbahen në atmosferë të lirë dhe demokratike dhe 5. Kosova dhe Serbia kthehen menjëherë në dialog në të cilin BE-ja siguron zbatimin e marrëveshjes së arritur si dhe në javën që vjen të organizohet takim i nivelit të lartë”, deklaroi ai.