Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka dhënë detaje lidhur me takimet që ka zhvilluar në Davos të Zvicrës.
Ai ka bërë të ditur se ka takuar zëvendës-Presidenten e Zvicrës, Viola Amherd dhe ministrin e Ekonomisë së Zvicrës, Guy Parmelin, me ç’rast, siç ka informuar, ka shprehur mirënjohje për kontributin e Zvicrës dhënë për Kosovën.
“Theksuam rëndësinë e mërgatës sonë në Zvicër, që janë urë lidhëse mes dy shteteve tona”, ka shkruar Kurti.
Me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, Kurti ka informuar se kanë theksuar se me Kroacinë, Republika e Kosovës e ka të përbashkët të kaluarën, por edhe të ardhmen brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Kurti ka treguar edhe për takimin me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçk.
“Biseduam për hapat e mëtejmë dhe nevojën për dinamizim të procesit të dialogut drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ndërsa, me zëvendëskryeministrin e Ukrainës dhe Ministrin e Transformimit digjital, Mylkhailo Fedorov dhe Administratoren e USAID-it, Samantha Power, në Shtëpinë e Ukrainës në Davos, kryeministri ka bërë të ditur se kanë diskutuar mbi transformimin digjital.
Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që është mbajtur në Davos të Zvicrës.