Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh sot se Kosova e meriton statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pas kalimit me sukses të fazës së parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës së fundmi, raportit pozitiv për vendin të vitit të kaluar dhe vendimit të liberalizimit të vizave pas gjithë asaj vonese, Kurti tha se Kosova duhet të marrë edhe pyetësorin për BE, që do të konfirmonte që Kosova meriton statusin kandidat.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti theksoi se janë të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ dhe se beson se marrëveshja bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbën një avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, sepse bazohet në parime universale të barazisë së sovranëve, respektimit të integritetit territorial, pavarësisë, heqjen dorë nga kundërshtimet për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare, shkëmbimin i misioneve diplomatike me ambasadorë, njohja e simboleve shtetërore, vulave doganore, targave dhe e pasaportave.
Gjatë konferencës së mbajtur nga Grupi i Ballkanit për Politika me temën ”Balkan Dialogues Initiative”, siç u bë e ditur në komunikatë, kryeministri foli edhe për luftën në Ukrainë, nga siç tha ai, agresori rus me ambicie hegjemoniste dhe ndërsa njerëzit luftojnë për të mbrojtur lirinë e tyre, koncepte të tilla si liria, uniteti dhe solidariteti duhet të bëhen veprime që drejtojnë politikën tonë të jashtme.
Kjo, sipas tij, është arsyeja pse Kosova e ka harmonizuar politikën e saj të përbashkët të sigurisë së jashtme me atë të BE-së dhe ka aplikuar të gjitha pakot e sanksioneve ndaj Federatës Ruse.
“Nuk ka asnjë mospajtim nëse Kosova duhet të vendosë sanksione dhe të rreshtohet me BE-në, sepse vizioni ynë është i qartë: ne rreshtohemi me kombet paqësore, demokratike në Evropë që mishërojnë lirinë, unitetin dhe solidaritetin dhe jemi në anën e luftës çlirimtare të populli ukrainas”, u shpreh ai.
Kurti shtoi se reformat e brendshme në sundimin e ligjit, progresi ekonomik dhe social, liberalizimi i vizave dhe suksesi në fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, konfirmojnë se po bëhen hapat e duhur, në rrugën e duhur drejt të ardhmes evropiane.