Si Kryeministër i Republikës së Kosovës jam pajtuar me propozimin e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, për lirimin e ambasadorëve të caktuar me çelës politik, thotë në një reagim të tij Kryeministri Albin Kurti.
“Ky propozim i Zëvendëskryeministres Gërvalla, i dekretuar nga Presidentja, znj. Vjosa Osmani, është hapi i parë në reformën e domosdoshme në Shërbimin e Jashtëm dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme e Diasporës. Këtë reformë ne e kemi nisur edhe gjatë Qeverisë sonë të parë të pranverës 2020, dhe e kemi paralajmëruar në zotimet tona elektorale dhe programin tonë qeverisës”.
“Ambasadorët e liruar kanë dhënë kontributin e tyre për vendin, për çka i falënderojmë. Por, qeverisjet e kaluara kanë mbingarkuar Shërbimin e Jashtëm me diplomatë politikë, duke e kaluar kështu kuotën e paraparë ligjore. Prandaj, ky hap është hap i duhur drejt kthimit të ligjshmërisë në këtë dikaster”.
“Në koordinim me Zëvendëskryeministren Gërvalla, Presidenten Osmani dhe Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, pa humbur kohë do t’i fillojmë procedurat për dërgimin e diplomatëve në misionet tona diplomatike, ku numrin dukshëm më të madh do ta përbëjnë diplomatët e karrierës”.
“Ligjshmëria, reformat strukturore dhe vendosja e mekanizmave të profesionalizmit dhe meritokracisë janë shtyllat mbi të cilat qeverisja jonë do ta ndërtojë përfaqësimin dinjitoz të Republikës sonë në arenën ndërkombëtare”, thotë Kurti./UBTNEWS