Me deklaratat e opozitës për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në pranverë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ironizuar sot në një konferencë me gazetarët duke pyetur mos opozita e ka fjalën për 1 prillin.
Kreu i ekzekutivit ka folur edhe për deklaratën kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili ka thënë se ky i fundit duhet ta kthejë diplomën në universitet nëse nuk di të menaxhojë krizën energjetike.
“Kur kanë menduar për zgjedhje në prill duhet t’i pyesni mos e kanë pasur fjalën për 1 prillin, ndërkaq në anën tjetër unë ua uroj vitin e ri edhe zotëri Abdixhikut edhe opozitës në përgjithësi, ju dëshiroj të gjithë të mirat në vitin 2022. Duket që unë njëmend jam i zënë edhe me punët e subjektit tim politik dhe nganjëherë më duhet të mungoj në disa aktivitete të tjera ndonëse ky nuk ishte rasti i djeshëm, por duket që zotëri Abdixhiku është shumë më i zënë se unë me subjektin e tij politik prandaj edhe mungon shpesh, ndërkaq unë diplomën e Universitetit të Prishtinës e kam në Fakultetin e Elektroteknikës, Telekomunikacion dhe Kompjuterikë, nuk e kam për blerje në bursë por nuk besoj që kemi bërë asnjë lëshim deri më tani”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se qeveria ndodhet në sulme dhe akuza të shumta nga opozita por ka shtuar se ai ka ardhur në qeverisje me një fitore prej mbi 50% meqë sipas tij ka ekzistuar dëshpërim i madh me ish-pushtetin që sot është në opozitë.
“E di që ndodhemi në sulme dhe akuza të shumta të opozitës, por duhet ta kuptoni që unë kam ardhur në qeverisje me një fitore të listës sonë prej 50.28% sepse ka ekzistuar një dëshpërim i madh me ish-pushtetin që është sot në opozitë”, tha ai.