Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Republikë së Kosovës ka thënë se e gjithë Kosova është tronditur nga tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri që ua mori jetën mbi 12 mijë njerëzve, numër ky që po rritet nga ora në orë.
“Ne ndajmë dhembjen dhe pikëllimin me popujt e prekur, ju shprehim ngushëllime familjarëve të viktimave, u dëshirojmë shërim të shpejtë të plagosurve, dhe lutemi për jetën e atyre që janë gjallë nën gërmadha. Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Turqi përbëhet nga një tog i kërkim-shpëtimit urban, dy ekipe mjekësore dhe një ekip K9 me tre qen. Numri i përgjithshëm i personelit të zbarkuar është 36 pjesëtarë të FSK-së dhe ky kontingjent ka zbarkuar në Republikën e Turqisë me datën 6 shkurt. Ndërkaq nga autoritetet menaxhuese turke ka marrë detyrën të operojë në provincën Hatay të Turqisë jug-lindore. Njësitet e FSK-së në provincën Hatay janë duke zhvilluar operacione të kërkim shpëtimit dhe dhënie të ndihmës së parë mjekësore”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë po ashtu se, gjatë ditës së djeshme, njësitë e specializuara të kërkim shpëtimit urban të FSK-së kanë shpëtuar një vajzë dy vjeçare dhe nënën e saj, dhe janë duke vazhduar operacionin.
‘Këto janë kushte shumë të rrezikshme e sfiduese, andaj i përgëzoj ushtarët tanë për guximin, për shkathtësinë dhe për suksesin! Gjithashtu i përgëzojmë të gjithë ata që po shpëtojnë jetë në zonat e goditura nga tërmeti në Turqi e në Siri”, ka thënë Kurti.
Po sot kryeministri Kurti ka nënshkruar në librin e zisë, të hapur në Ambasadën e Turqisë në Kosovë.
Kurti, ka shprehur respektin dhe nderimin për mijëra jetë të humbura tragjikisht nga tërmeti në Turqi.
“E gjithë Kosova është tronditur nga tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri. Ndajmë dhimbjen dhe pikëllimin me popullin turk dhe udhëheqjen e Republikës, ngushëllojmë familjarët e viktimave, urojmë shërim për të plagosurit dhe lutemi për jetën e të gjallëve nën rrënoja”, ka shkruar kryeministri Kurti.
“Solidariteti ynë është i fuqishëm e ndihma dhe mbështetja jonë e parezervë dhe e vazhdueshme. Geçmiş olsun Türkiye”, ka shkruar ai më tej në librin e zisë.