Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur detaje nga “takimi i gjatë” me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen. Gjatë këtij takimi, Kurti ka kërkuar nga BE-ja më shumë vlerësim dhe mirënjohje për përpjekjet e Kosovës në integrimin e komunitetit serb.
“Komuniteti serb në Kosovë gëzon të gjitha të drejtat kushtetuese, përfshirë përfaqësimin me ulëse të rezervuara në Kuvend dhe përdorimin e gjuhës serbe në të gjitha nivelet institucionale,” theksoi Kurti.
Ai shtoi se pas largimit të rreth 500 pjesëtarëve serbë nga Policia e Kosovës, janë rekrutuar 199 kadetë të rinj serbë, duke dëshmuar përkushtimin institucional ndaj përfshirjes së këtij komuniteti në strukturat shtetërore.
“Prej më shumë se dy vjetësh, shqiptarët dhe serbët punojnë bashkë në katër komunat veriore, pa asnjë incident. Kërkova që të ketë më shumë mirënjohje për Kosovën për këtë realitet,” u shpreh Kurti.
Ai nënvizoi se të gjitha veprimet e qeverisë janë në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe kanë për synim integrimin e plotë të komunitetit serb në shoqërinë kosovare.