UBT News

​Kurti: I kemi kërkuar AKK-së që ta zbatojë vendimin e Kushtetueses për pronën e Manastirit të Deçanit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se i kanë kërkuar Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me tokën rreth Manastirit të Deçanit. Kryeministri Kurti ka thënë se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve, të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në Këshillin e Evropës këtë vit, ose heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit. Ndërsa, sipas Kurtit, vendimi është marrë “duke u prirë nga arsyeja e shëndoshë”. Ai po ashtu ka thënë se pranimi i Kosovës në KiE do të ishte fitore historike.

“Qeverisë i është bërë e qartë nga komuniteti i Asamblesë Parlamentare nga grupet politike kryesore në Asamble Parlamentare që përfaqësojnë Parlamentet e shteteve anëtare nga shtetet e QUINT-it që ne duhet të zgjedhim ndërmjet dy opsioneve, të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në Këshill të Evropës këtë vit apo heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit edhe rrjedhimisht heqim dorë nga një qëllim demokratik e shtet ndërtues i Republikës sonë. E provuam me datën 5 mars për herë të fundit që ta shtyjmë miratimin e opinionit për anëtarësim në komunitetin në fjalë, por pa sukses. U bindem që duhet të zgjedhim njërin opsion, nuk ka një zgjedhje të tretë…Mbi të gjitha, kërkohej një vendim i arsyeshëm, fatkeqësisht jo i drejtë në plotninë e tij. Por me gjithë këtë për të arritur një qëllim shumë madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët, ne duhet bërë hap përpara me maturi e përgjegjësi si vend i pavarur e sovran. Andaj sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Kushtetueses kurse ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Kurti tha se Komiteti përgjegjës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës edhe në raportin e fundit ka thënë se ky ngel kusht që duhet plotësuar për anëtarësim. Ndërsa ka thënë se po bëjnë përpjekje që ky kusht të hiqet, ai shtoi se duhet të zgjedhin një vendim, pasi siç tha ai, zgjidhje tjetër nuk ka.

“Si kryeministër nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm e i padrejtë, e ndërkohë ka edhe procese tjera gjyqësore pezull për këtë çështje, teksa ne si qeveri nuk kemi më mjete legale e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk do e ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë. Në anën tjetër, s’ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe hap gjigant për Republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në BE për Kosovë të pavarur. Në ushtrimin e gjykimit për këtë çështje jam prirë nga arsyeja e shëndoshë. Askush nuk ka të drejtë t’ia ndalë Kosovës të drejtën për të qenë shtet i barabartë me çdo shtet tjetër të kontinentit. Askush s’ka të drejtë t’ua humbasë qytetarëve të drejtën që të ndihen qytetarë evropianë duke pasur të drejtën për t’iu qasur Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut e dhjetëra mekanizmave të tjerë që e përbëjnë makinerinë demokratike panevropiane”, tha Kurti.

Në anën tjetër, Kurti përmendi edhe rastin e nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, i cili tha se ndonëse ka prova që flasin për zjarr vënie të qëllimshme, është shqetësuese heshtja e komunitetit ndërkombëtar.

“Po në këtë muaj, në ditën ndërkombëtare të grave, pak pas mesnate, një grua nga radhët e komunitetit serb në Kosovë që bart pozitë të lartë drejtuese në nivelin komunal, në një komunë me shumicë serbe, u bë cak i elementeve e grupeve kriminale. Natasha Tomaniq, nënkryetarja e Komunës së Zveçanit, 8 Marsin e nisi me lajmin se pronës së saj private i është vënë zjarri. Provat e grumbulluara nga ekzaminimi i vendit të ngjarjes flasin për zjarr vënie të qëllimshme. Dëmi financiar llogaritet të jetë rreth 40 mijë euro, por qëllimi i sulmit nuk ishte financiar, sado që dëmi do të jetë barrë. Frikësimi dhe terrori ishin synimet ndaj nënkryetares Tomaniq dhe të gjithë serbeve të Kosovës, veçanërisht në veri të vendit të cilët duan integrimin në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës, sepse ashtu mirëqenia e tyre është më e mirë. Megjithatë, pavarësisht se bëhet fjalë për një grua nga komuniteti serb në Kosovë që bart pozitë zyrtare në institucionet publike të vendit tonë, heshtja e komunitetit ndërkombëtar edhe pesë ditë pas sulmit sa vjen e bëhet më shurdhuese. Një heshtje e tillë është sa dekurajuese, aq edhe inkurajuese. Dekurajuese për njërën palë, viktimën, dhe inkurajuese për palën tjetër, agresorin, sepse sulmi ndaj nënkryetares së Zveçanit, Tomaniq nuk ndodhi në vakum”, tha ai.

Kujtojmë se vendet e QUINT’it tash e disa vjet shprehen të shqetësuar se nuk po respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit dhe vazhdimisht bëjnë thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i lejojnë manastirit ta regjistrojë tokën në kadastër.

Exit mobile version