Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka përshëndetur miratimin e Projektligjit për Gjykatën Komerciale i cili në seancën e kësaj të premte mori votën e 74 deputetëve.
I pari i Qeverisë thotë se edhe formalisht është hapur rruga për krijimin e kësaj gjykate për të cilën shton edhe se ky ishte edhe zotimi i tyre zgjedhor dhe prioritet në programin qeveritar. Me këtë rast ai ka falënderuar edhe deputetët e kuvendit që votuan “për” miratimin e këtij projektligji
“Edhe formalisht u hap rruga për krijimin e Gjykatës Komerciale. Ishte ky zotim i yni zgjedhor, prioritet në programin qeveritar, që sot e mori epilogun nga Kuvendi i Republikës. I falenderoj të gjithë deputetët për votimin dhe diskutimet. Shumë gjatë sektori privat është ballafaquar me sfida që kanë frenuar bizneset e tyre për shkak të mungesës së efikasitetit gjyqësor, procedurave të stërzgjatura për zgjidhjen e rasteve, ekspertizave profesionalisht jo të kënaqshme apo numrit të vogël të gjyqtarëve. Vetëm për tri vite (2018, 2019 dhe 2020), në Departamentin për Çështje Ekonomike janë hapur 2260 konteste mes bizneseve, nga të cilat 15 raste kanë vlerë mbi 1 milion euro secila”, ka shkruar Kurti.
Ai tha edhe se Ligji për Gjykatën Komerciale krijon mundësi të mjaftueshme për rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e kontesteve tregtare.
“Ligji për Gjykatën Komerciale krijon mundësi të mjaftueshme për rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e kontesteve tregtare, me qëllim që të drejtat e bizneseve të fituara nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare dhe administrative të realizohen pa vonesa, duke lehtësuar kësisoj shfrytëzimin e kapitalit. Ligji siguron lirinë e sipërmarrjes, barazinë e palëve, të drejtën e pronës dhe zbatimin e kontratave, në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Po ashtu, ndërton besimin e investitorëve, duke përfshirë mërgatën tonë, dhe i hap rrugë zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies së qytetarëve të Republikës. Departamenti Ekonomik i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka operuar me kapacitete mjaft të kufizuara, me ç’rast mesatarja e zgjidhjes së vetëm një rasti të natyrës ekonomike merrte 4 deri në 5 vite kohë”, shpjegon Kurti.
Po ashtu i pari i Qeverisë tha se themelimi i kësaj gjykate do ta përmirësojë edhe gjendjen përmes aktgjykimeve meritore për zgjidhje përfundimtare të rasteve nga gjyqtarët dhe se ky ligj do të ketë ndikim ekonomik tejet pozitivë për vendin.
“Themelimi i Gjykatës Komerciale do të përmirësoj gjendjen përmes aktgjykimeve meritore për zgjidhje përfundimtare të rasteve nga gjyqtarët, numri i të cilëve do të rritet konsiderueshëm, nga vetëm 5 sa kanë qenë deri tash. Mbi 3.000 raste qysh në fillim do të jenë subjekt shqyrtimi i kësaj Gjykate, që do të ketë juridiksion edhe për rastet përmbarimore, duke zgjidhur afërsisht 500 raste të kësaj natyre në vit. Ky ligj do të ketë ndikim ekonomik tejet pozitiv në vendin tonë. Lehtësohet tërheqja e investimeve të jashtme, duke na bërë kredibilë, seriozë dhe të përkushtuar për drejtësi dhe të drejtën, drejt zhvillimit ekonomik. Ligji për Gjykatën Komerciale i shërben shtetit të së drejtës si parakusht të zhvillimit ekonomik”, ka shkruar kryeministri Kurti.