Kryeministri Albin Kurti është shprehur i gatshëm që të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kurdo që të caktohet takimi i radhës. Ai ka deklaruar se në takimin e sotëm me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kanë diskutuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes dhe zbatimin e asaj për energjinë në veri. Kështu ka deklaruar shefi i ekzekutivit pas vizitës në Miresh të Gjilanit.
“Kur të na thërrasin jemi të gatshëm që të zhvillojmë takimin e radhës, por në ndërkohë duhet të vijmë në arat që punohen, në çerdhet që na dhurohen. Jeta vazhdon”, deklaroi Kurti.
Në Gjilan ka folur edhe për takimin që pati me të dërguarin e posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak.
“Gjithmonë i kemi dy tema kryesore, e para është korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe e dyta janë çështjet aktuale. Në çështjet aktuale kryesorja për neve është zbatimi i marrëveshjes së energjisë, në mënyrë që edhe në veri të Ibrit të fillojë inkasimi për energjinë e konsumuar, sepse nuk ka kurrfarë kuptimi që ta shfrytëzosh energjinë elektrike nga burimet e Kosovës e të mos paguash asgjë. Prandaj tek çështjet aktuale fokusi ynë është zbatimi i marrëveshjes për energjinë që edhe atje të paguhet energjia elektrike. Që është e domosdoshme për ekonominë tonë dhe për ligjet tona”, ka shtuar Kurti.
Ai është pyetur edhe për liberalizimin e vizave, për çka theksoi se kjo temë diskutohet në një instancë tjetër.
“Çështja e vizave diskutohet në një instancë tjetër, ajo çfarë kemi diskutuar ne është progresi i Kosovës në raportin e progresit edhe sa i përket rajonit Ballkanit jemi shumë mirë, më mirë se shumica. Gjithashtu edhe sa i përket raporteve të mëhershme të progresit jemi shumë më mirë”, ka përfunduar ai.
Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci kanë marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të një çerdheje dhe kanë vizituar një fermer, i cili ka të mbjella 10 hektarë grurë në Miresh të Gjilanit.