Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste për Alsat, ka dërguar një mesazh të qartë për Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), duke theksuar se, pavarësisht nëse kjo parti është në pushtet apo opozitë, duhet të angazhohet për eliminimin e termit “20%” që përdoret për gjuhën shqipe në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
Kurti ngriti shqetësimin përse, edhe pas shumë viteve nga Marrëveshja e Ohrit, zbatimi i plotë i ligjit për gjuhët ende mbetet një sfidë, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe në kartëmonedha, uniforma dhe seanca gjyqësore.
“Kjo ndarje pozitë-opozitë nuk duhet të bëhet në kurriz të kombit shqiptar apo të vërtetës. Nuk mund të mendojmë se gjithçka ka qenë në rregull kur BDI ishte në pushtet dhe tani gjithçka është keq vetëm pse parti të tjera kanë disa ministri. Shqiptarët duhet të theksojnë atë që i bashkon, duke shmangur rivalitetet armiqësore që pengojnë bashkëpunimin,” tha Kurti.
Ai nënvizoi se politika duhet të fokusohet te idetë dhe ndershmëria, duke theksuar se rotacionet politike janë të shëndetshme.
“Duhet të luftojmë me ide për qytetari dhe për shqiptari, jo për pushtet e karrige. Të fitojnë idetë, përkushtimi dhe patriotizmi. Shqiptarët kanë një identitet dhe një gjuhë të përbashkët, por nuk mund të kenë një parti të vetme politike,” shtoi ai.
Deklaratat e Kurtit, ku ai përmendi se gjuha shqipe në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut njihet vetëm si “20%” dhe brenda kllapave, ngjallën reagime nga Fronti Europian, i cili në tubimet e tij me qytetarët e cilësoi këtë si një keqinterpretim nga ana e kryeministrit.