Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dal në mbrojtje vartëses së tij, ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ndaj të cilës së fundi ka shpërthyer një valë kritikash në lidhje me qëndrimin e saj karshi UÇK-së.
Shefi i Gërvallës thotë se është e çuditshme sesi ka nisur kjo fushatë, e cila sipas tij, e mbron dhe e afirmon UÇK-në si pakkush tjetër.
“Dje, duket që filloi një fushatë kundër zëvendëses sime dhe ministres së MPJD, znj. Donika Gërvalla, me tezën se ajo nuk e respekton UÇK-në. Është interesante qysh kjo fushatë nuk nisi kur znj. Gërvalla erdhi në listën tonë zgjedhore e as kur u emërua ministre, por tash që u kthye nga vizita e suksesshme në Bruksel”.
“Znj. Gërvalla e mbron dhe e afirmon luftën tonë çlirimtare dhe UÇK-në. Në takimet me ndërkombëtarë, ajo e shpjegon agresionin dhe krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë si pakkush tjetër”, shkruan Kurti në reagimin e tij, në përgjigje të zërave opozitar për shkarkimin e shefes së diplomacisë kosovare./UBTNEWS