UBT News

​Kurti i bën thirrje pakicave që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë thirrje komunitetit joshumicë që të mos ngurrojë, por t’i përgjigjet regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, pasi nuk është thjesht një ushtrim burokratik, por është mekanizëm përmes të cilit ne formohen politika dhe ndajmë burime për të siguruar që çdo qytetar, pa marrë parasysh etninë apo besimin, do të marrë mbështetjen dhe shërbimet që i takojnë.

Sipas tij, regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është një ndër ndërmarrjet më të rëndësishme për shtetin tonë.

“Pjesëmarrja e secilit nuk është thjesht një shënim statistikor; është një deklaratë e fuqishme e identitetit, të drejtave, dhe vendit të secilit qytetar në shoqërinë tonë. Regjistrimi i popullsisë nuk është thjesht një ushtrim burokratik; është mekanizëm përmes të cilit ne formojmë politika dhe ndajmë burime për të siguruar që çdo qytetar, pa marrë parasysh etninë apo besimin, do të marrë mbështetjen dhe shërbimet që i takojnë. Në bazë të tij bëhet ndarja dhe shpërndarja e buxhetit të shtetit. Rezultatet e tij përcaktojnë politikat sociale dhe zhvillimore të shtetit, investimet në komunitetet tuaja, subvencionet në mbështetje tuaj, programet e shërbimet sociale dhe shëndetësore”, tha ai.

Sipas tij, regjistrimi është dokumentim zyrtar i përbërjes së shoqërisë sonë.

“Vetëm me një regjistrim të plotë e të saktë do të mund ta dimë më së miri se për sa çerdhe e shkolla keni nevojë; se sa hapësira kulturore, rekreative e sportive duhet të planifikohen në shërbim të komuniteteve tuaja; çfarë programe e politika sociale i përgjigjen nevojave tuaja e kështu me radhë. Regjistrimi është dokumentim zyrtar i përbërjes së shoqërisë sonë. Të dhënat e tij pastaj bëhen pasqyrë e politikave tona dhe përgjegjësi e shtetit dhe institucioneve tona. Regjistruesit do të vijnë derë më derë. Mirëprisni ata si mikpritës të mirë që jeni. Komunitetet joshumicë janë vlerë e identitet i shtetit tonë. Shoqëria jonë është e pasur sepse ju jeni pjesë e saj. Andaj, mos ngurroni, regjistrohuni”, tha ai.

Përndryshe Agjencia e Statistika të Kosovës ka njoftuar se deri në ditën e djeshme janë regjistruar 530 mijë qytetarë në procesin e Regjistrimit të Popullsisë. Po ashtu, mbi 36% e objekteve që janë në Kosovë janë regjistruar. Ndërsa, nga diaspora janë regjistruar 180 mijë pjesëtarë dhe mbi 50 mijë përmes platformës e-diaspora. Në Kosovë procesi i regjistrimit do të zgjasë deri më 17 maj.

Exit mobile version