Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë një deputet të PDK-së për nënkryetar të Kuvendit.
Ai ka kërkuar që emrat e kandidatëve të diskutohen në takimet mes partive dhe ka thënë se ende nuk është tepër vonë për të arritur marrëveshje.
“Ne medoemos një deputet të PDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit. Ne medoemos një deputet ose deputete të LDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka thënë se dëshiron të takohet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për të diskutuar emrat e kandidatëve.
Ai e ka cilësuar si të keqardhshme braktisjen e procesit të konstituimit të Kuvendit, duke thënë se sot është humbur një mundësi për përmbylljen e tij.
“Jemi vonë, por nuk është tepër vonë. Nëse e bëjmë këtë të dielën, megjithatë do të konsiderojmë që përgjithësisht dhe së bashku ishim të suksesshëm”, ka deklaruar Kurti./A.K/
