UBT News

Kurti: Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë në Leposaviq. I pari i Qeverisë ka shkruar në Facebook se rrëmbimi ka ndodhur në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë.

Ai ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve.

“Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë.Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës.Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit. Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim.Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, thuhet në reagimin e Kurtit./UBTNews/

Exit mobile version