Ish-Kryeministri Albin Kurti nuk ka thënë asnjë fjalë për thikat mbi hartat as për “Shtëpinë e Verdhë, të kuqe…”, kur e ka quajtur të dëmshme marrëveshjen e nënshkruar në Washington një ditë më parë nga Kryeministri Hoti dhe Aleksander Vucic.
Madje, Kurti e ka nisur reagimin e tij se fushata elektorale në SHBA po vazhdon, duke e ndërlidhur edhe marrëveshjen me garën se kush do të jetë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
“Mbrëmë, në praninë e Presidentit Trump, kryeministri i paligjshëm i Kosovës dhe presidenti autokrat i Serbisë, secili, nënshkruan nga një marrëveshje me vetveten. Nuk ka asnjë pikë që lidhet me marrëdhëniet me Serbinë në këto letra të nëshkruara që mund të cilësohet arritje nga delegacioni nga Kosova. Moratoriumi për çështjen e anëtarësimeve dhe vënia në diskutim e shfrytëzimit të Ujmanit janë dështim enorm i këtyre”, ka shkruar Kurti, në një reagim në Fb.
Albin Kurti u shkarkua nga pozita e Kryeministrit pasi refuzoi të shkonte në Shtëpi të Bardhë dhe u ballafaqua edhe me saknsione amerikane sepse kundërshtonte politikën e Ambasadorit Grenell që marrëveshja Kosovë-Serbi të arrihej shpejt në SHBA.
Kurti ka thënë se në SHBA kanë pranuar çfarëdo që ka kërkuar Vucic pavarësisht se kishin shkuar për njohje reciproke.
“Ujmani, energjia, minishengeni, rrugët e Serbisë nëpër Kosovë, deri para pak ditësh kanë qenë të papranueshme si tema bisedimesh me Serbinë për partitë në Kosovë. Ky ndërrim i faqes, tregon sa të padenjë janë. Shkuan atje me premtimin për njohje, por kur Vuçiq ka thënë se nuk ka bisedime nëse nuk eleminohet njohja, këta nuk kanë guxuar të këmbëngulin. Kanë pranuar gjithë çfarë ka kërkuar ai”, ka shtuar ai.
Ka folur edhe për minishengenin ballkanik i cili është përfshirë në marrëveshjen e normalizimit ekonomik.
“Të gjithë në rajonin tonë janë të vetëdijshëm që minishengeni ndihmon hegjemoninë e Serbisë në këtë pjesë të Evropës. Krimet e dëmet gjatë luftës, borxhi që na e ka Serbia, u shpërfill a harrua nga delegacioni i Kosovës. Koncensionet në planin e Ahtisaarit për manastiret dhe kishat nuk kishin pse rëndoheshin edhe më shumë në Washington DC, thua se nuk ka marrë boll Serbia”, ka shtuar ai.
Kurti ka thënë se shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, nuk janë mbrojtur e madje as adresuar problemet e tyre.
“Serbia kërkoi dalje në det, e mori, kërkoi financa i mori, kërkoi devijimin e hekurudhës kah Merdarja e mori, kërkoi minishengen e mori, kërkoi të hiqej pika ku mes tjerash nënkuptohej njohja e hoqi. Pra, askund s’ka njohje reciproke të premtuar. Përkundrazi, Grenell e pranoi se ka pranuar ta heq atë”, ka shtuar ai./express/