Kryeministri në detyrë, Albin Kurti kujtoi ditën kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se pavarësia e Kosovës nuk ishte shkelje e të drejtës ndërkombëtare.
“Mendimi Këshilldhënës i GjND-së i dha dritë njohjes vendimtare të së drejtës së popullit të Kosovës për shtetformim, vetëvendosje e liri”, shkroi Kurti në Facebook.
Kurti tha se ajo do mbetet akt i vulosjes së ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në të drejtën ndërkombëtare, dëshmi për legjitimitetin ndërkombëtar të së drejtës për vetëvendosje të popullit të Kosovës “dhe akt konfirmues i evidencës shoviniste e kolonizuese të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës”.
Sot mbushen pesëmbëdhjetë vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Me dhjetë vota pro dhe katër kundër, anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës më 22 korrik 2010 kishin vendosur në favor të Kosovës, duke refuzuar kështu kërkesën e Serbisë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
“Ajo do mbetet edhe një mësim për Serbinë, e cila me nxitim loboi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ta pyetur Gjykatën për ligjshmërinë e pavarësisë së Republikës sonë. Nxitimi i saj u kthye në një humbje të madhe të politikës serbomadhe, e po ashtu simbolikisht një kujtim për viktimat e kolonizimit, diskriminimit sistematik e gjenocidit të saj”, tha Kurti.
Vendimi ishte lexuar nga presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në atë kohë, Hiasashio Ovada.
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe deri më tash vendi ynë është njohur nga 119-të shtete të botës.