UBT News

Kurti: Gjendja në qershor e korrik ishte tjetër, çdoherë marrim përgjegjësinë që na takon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një videomesazhi u ka shprehur ngushëllime të gjithë familjarëve të të vdekurve nga virusi COVID-19, duke thënë se pikëllimi që ka kapluar mbarë njerëzimin nuk e bën më të vogël dhimbjen që ndjen secili kur e humb të afërmin e vet, e sipas tij, atë dhimbje s’e lehtëson dot askush, veç koha deri diku.

“Falënderim e mirënjohje infermierëve dhe mjekëve, policëve dhe inspektorëve, për këto mbi 500 ditë pune e beteje vetëmohuese”, ka thënë Kurti.

Më tej, Kurti tha se sot mund të duket sikur qeveria të cilën ai e udhëheq do të mund të bënte më shumë gjatë muajve qershor dhe korrik, por sipas kreut të qeverisë, gjendja atëherë ishte krejt ndryshe.

“Po të merrnim masa ekstreme të kufizimit kur numrat ishin tejet të ulët, do të ishte mbi e tej reagim. Edhe atëherë, edhe sot, ne kemi vepruar në përputhje me rekomandimet e IKSHPK-së dhe me situatën në terren ku numri i rasteve të reja ishte shumë i ulët deri në fillim të muajit gusht e madje gjatë tërë dhjetë ditëshit të parë”, ka thënë Kurti në videomesazh.

I pari i Qeverisë së Kosovës tha se rritja e rasteve pozitive dhe rasteve të vdekjes nga virusi korona, ishte e befasishme dhe e paparashikuar.

“Ekspertët e prisnin një valë të varianti delta, por jo aq herët e as me rritje aq të shpejtë. Ne morëm masa, dhe po veprojmë në kohë reale”.

Kreu i ekzekutivit tha se si qeveri çdoherë marrin përgjegjësinë dhe janë në krye të detyrës, teksa thotë se këtë po e bëjnë përditë me përkushtimin më të madh.

“Sot është dita kur numri i dozave të administruara të vaksinës arrin shifrën prej një milion. Dy të tretat e këtyre janë për ata që kanë marrë së paku një dozë, kurse një e treta për ata me dy doza. Ka mjaftueshëm doza në stoqe dhe vaksinat tona janë të gjitha të regjistruara në EMA dhe FDA”.

Tutje, ai tha se vaksinimi dhe zbatimi i masave që ka vendosur qeveria kanë filluar të japin rezultate teksa përmendi edhe rënien e rasteve aktive e pozitive me COVID-19.

“Me vaksinat që kemi siguruar, do ta kalojmë më lehtë se shumë vende të tjera, sepse është e vërtetuar që vaksinimi ia zvogëlon shumë kapacitetin virusit”, ka thënë Kurti.

Më tej, Kurti tha përhapja e variantit Delta nuk është progresive por eksplozive.

“Infektimi sjell rrezik të lartë dhe vaksinimi e zvogëlon atë rrezik deri në 95 për qind. Vaksinimi dhe testimi, maskat, distance dhe higjiena, na mundësojnë dhe sigurojnë daljen nga kriza e pandemisë, nga kjo emergjencë shëndetësore”, ka thënë Kurti përmes videomesazhit.

Më poshtë shihni videomesazhin e kryeministrit Kurti:

https://www.facebook.com/watch/?v=609702320438172&ref=sharing

Exit mobile version