Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot u ka dërguar ftesë për takime tre liderëve të subjekteve opozitare Enver Hoxhajt (PDK), Lumir Abdixhikut (LDK) dhe Ramush Haradinajt (AAK).
Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se takimet planifikohet të mbahen gjatë fillimit të javës së ardhshme, sipas orareve të përshtatshme për të gjitha palët, dhe do të jenë në shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Kosovës.
Kurti ka deklaruar vazhdimisht se për çështjet me interes nacional do të konsultohet dhe do të kërkojë bashkëpunim të mirëfilltë me partitë dhe liderët opozitarë.
Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga kryeministri Albin Kurti.
Këtë për klankosova.tv e bëri të ditur Lulëzim Blaka, zëdhënës për media në AAK.
“Kryetari Haradinaj, do të takohet me Kryeministrin Kurti, në fillim të javës tjetër në orar të dakorduar bashkërisht”, ka thënë Blakaj.
Kurti letrën për takim ua ka dërguar edhe liderëve të tjerë të opozitës si Enver Hoxhajt të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhikut nga Lidhja Demokratike e Kosovës.