Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar një letër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), më 5 maj, përmes së cilës e ka ftuar për marrëveshje politike mes dy partive.
Kurti e ka ftuar Lumir Abdixhikun që LVV-ja dhe LDK-ja të bëjnë koalicion qeverisës, i cili do t’i hapte rrugë zhbllokimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të Qeverisë së re të Kosovës.
Letra, të cilën Radio Evropa e Lirë e ka siguruar, u bë publike pas dështimit të përpjekjes së njëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit.
Disa orë pas dërgimit të letrës nga Kurti, Abdixhiku ka thënë se partia e tij do t’i përgjigjet asaj zyrtarisht.
Duke folur para gazetarëve, ai ka thënë se letrën nuk e ka parë ende, por se do të kthejë përgjigje “me kohë”.
Ai i ka kërkuar anëtarëve të partisë së tij që “gjendjen e tanishme ta trajtojnë pa arrogancë shumë”.
Në letrën e tij, Kurti ka shkruar se është “i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në”.
Kurti i ka thënë Abdixhikut se “koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime”, teksa ka shkruar se ka bindjen që “votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV”.
“Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë“, është shprehur Kurti në letrën drejtuar Abdixhikut.
Kreu i LVV-së, në letër, nuk e ka përjashtuar as gatishmërinë e partisë së tij për shkuarje në zgjedhje të reja, por ka thënë se edhe ato do të çonin drejt një koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së.
“Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash?“, e ka pyetur Kurti, Abdxhikun.
Sociologu dhe analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se mënyra e formulimit të letrës së kreut të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), “është jashtëzakonisht dinake”.
Sipas tij, kjo letër është më shumë një veprim formal, me synimin për të përmirësuar imazhin bashkëpunues në opinionin publik, sesa që ka një peshë reale dhe konkrete./REL/